Inspektorati i Tregut në aksion, ndalohen mbi 38 mijë copë lodra fëmijësh

Inspektorati i Tregut në aksion, ndalohen mbi 38 mijë copë lodra fëmijësh

Mbi 38 mijë copë lodrash për fëmijë që kapin vlerën e afro 100 mijë eurove janë ndaluar, pas aksionit të gjerë të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Këto lodra, sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit nuk përmbushin standardet e kërkuara të sigurisë, transmeton KosovaPost.

“Në kuadër të këtij aksioni janë realizuar kontrolle të shtuara si në tregun e brendshëm ashtu edhe në zonat doganore, për të parandaluar hyrjen dhe qarkullimin e lodrave, që nuk përmbushin standardet e kërkuara të sigurisë të parapara në Rregulloren Nr. 02/2017 për Sigurinë e Lodrave. Si rezultat i inspektimeve të kryera në zonat doganore, janë ndaluar mbi 38,000 copë lodra për fëmijë, në vlerë prej afro 100,000 €, të cilat nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore për sigurinë e produkteve dhe nuk kanë poseduar dokumentacionin përkatës për vendosje në tregun e brendshëm”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, bëhet e ditur se gjatë kontrolleve në tregun e brendshëm, janë sekuestruar mbi 2,547 copë lodra për fëmijë, për të cilat është konstatuar se nuk i përmbushnin standardet e sigurisë.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut thekson se siguria e konsumatorëve, e në veçanti e fëmijëve, mbetet prioritet i pandashëm.

“Përmes këtyre aksioneve synohet që në treg të gjenden produkte të sigurta dhe në përputhje me standardet ligjore, duke kontribuar kështu në mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve”.

Inspektorati, thotë se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe aksione të tilla edhe në të ardhmen, derisa kanë ftuar njëkohësisht operatorët ekonomikë të respektojnë plotësisht kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë për produktet që i vendosin në treg.