Integrimi evropian dhe sfidat me Serbinë, në qendër të takimit Basha–Malaj

Integrimi evropian dhe sfidat me Serbinë, në qendër të takimit Basha–Malaj

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, dhe zëvendësambasadoren Pranvera Teli, me të cilët diskutuan për zhvillimet e fundit politike dhe bashkëpunimin e mëtejmë ndërshtetëror.

 

Në fillim të takimit, kryeparlamentari Basha i përcolli ambasadorit urimet më të përzemërta për zgjedhjen e Niko Peleshi në postin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për shtetin shqiptar dhe për bashkëpunimin mes dy parlamenteve.

Diskutimet u përqendruan edhe në idenë e krijimit të një Zyre Ndërlidhëse në kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë, e cila do të shërbente si mekanizëm i ri bashkëpunimi për të informuar deputetët në kohë reale mbi zhvillimet institucionale, qëndrimet parlamentare dhe proceset ligjvënëse me rëndësi për të dyja vendet.

Një strukturë e tillë, u tha në takim, do të mundësonte gjithashtu shkëmbimin e praktikave më të mira parlamentare dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke kontribuar në adresimin më efikas të çështjeve të përbashkëta dhe në avancimin e agjendave zhvillimore të dy kuvendeve.

Kryeparlamentari Basha nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Shqipërisë për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kuvendit të Kosovës për të përmbushur obligimet që çojnë vendin drejt BE-së.

Ai gjithashtu uroi Shqipërinë për hapjen e katër kapitujve në negociatat e anëtarësimit, duke e cilësuar këtë si një arritje të madhe në rrugën e integrimit evropian dhe si lajm inkurajues për të gjithë shqiptarët.

Në këtë kuadër, kryeparlamentari Basha kërkoi mbështetje edhe më të fuqishme nga shteti shqiptar për Kosovën, veçanërisht përballë agresionit të vazhdueshëm të Serbisë, e cila, siç tha ai, përdor mjete të ndryshme diplomatike, propagandistike dhe destabilizuese për të cenuar shtetin e Kosovës.

Ai theksoi se është thelbësore që Shqipëria, në takimet me partnerët ndërkombëtarë, të insistojë për largimin e masave të padrejta ndaj Kosovës dhe për një qasje të drejtë e të barabartë në raport me shtetin dhe qytetarët tanë.

Në fund të takimit, Basha e falënderoi ambasadorin Malaj për angazhimin dhe kontributin e tij të vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke nënvizuar nevojën për një sinkronizim më të madh institucional në të gjitha nivelet, me qëllim të përballimit të sfidave të përbashkëta dhe të avancimit të agjendës evropiane të të dyja shteteve.