Ish-ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përgënjeshtruar deklaratat e Listës Serbe të bëra dje, se integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë nuk ka qenë kurrë pjesë e negociatave apo e ndonjë marrëveshjeje.
Rohde në një shkrim në ‘Bluesky’ ka theksuar se deklarata e Listës Serbe “thjesht nuk është e vërtetë”.
“Lidhur me deklaratën e djeshme të Listës Serbe (SL) se integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë nuk ka qenë kurrë pjesë e negociatave apo e ndonjë marrëveshjeje, dua të bëj këtë sqarim: Pohimi i Listës Serbe se integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë nuk ka qenë pjesë e negociatave apo e ndonjë marrëveshjeje, thjesht nuk është i vërtetë”, ka shkruar Rohde.
Ai më tej nënvizoi se Marrëveshja e 2013 dhe ajo e Ohrit parashohin qartë integrimin e institucioneve nën autoritetin përkatës.
“Marrëveshja e nënshkruar më 19 prill 2013, përfshinte gjashtë pika që lidhen me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa marrëveshja më e fundit e Ohrit për planin e zbatimit të marrëveshjes së vitit 2013 e përcakton qartë integrimin e këtij sistemi institucional nën autoritetin përkatës”, ka shkruar Rohde.
Ai, tutje, shtoi se interpretimet e paqarta të marrëveshjeve rrisin tensionet para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
”Interpretimet kaq të paqarta të dokumenteve ndërkombëtarisht detyruese rrisin edhe më shumë tensionet në një periudhë tashmë të ndjeshme para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, ku pritet që komunitetet lokale serbe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Prandaj, u bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklarata të tilla arbitrare, madje mund të thuhet edhe me qëllim të keq, që mund të dëmtojnë proceset demokratike, siç janë zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar, mes tjerash ish-ambasadori gjerman në Kosovë, Jôrn Rohde.
Të tjera
Interpretimet e paqarta rrisin tensionet para zgjedhjeve të 12 tetor
Shqipëria solidarizohet me Estoninë pas shkeljes së hapësirës ajrore
Franca përgatitet ta njohë Shtetin e Palestinës më 22 shtator