1 Shtatori, Nagavci: Investimi më i çmuar është ai në arsim

Investimi më i çmuar është ai në arsim

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se investimi më i çmuar është ai në arsim, në të ardhmen e fëmijëve dhe të vendit, përcjell KosovaPost.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025–2026, ajo, bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë vizituar sot shkollën “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

“Ishte kënaqësi të shihje fëmijët teksa ktheheshin në bankat e tyre me buzëqeshje dhe plot kureshtje për kapitullin e ri të dijes që i pret. Atmosfera në korridoret e shkollës ishte e mbushur me gjallëri dhe energji pozitive ku çdo hap i vogël i nxënësve është një hap i madh drejt ëndrrave dhe së ardhmes së tyre”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo ka thënë se gjatë bisedës me drejtoreshën, mësuesit dhe stafin e shkollës, ka riafirmuar përkushtimin e Ministrisë së Arsimit për të mbështetur shkollat dhe nxënësit, duke krijuar kushte të përshtatshme për mësim cilësor dhe gjithëpërfshirës.