Dërgohet në mbajtje polici që goditi për vdekje një person në Prizren

IPK-ja rekomandon suspendimin e katër zyrtarëve policorë

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për katër zyrtarë policorë të cilët ishin duke shërbyer me detyrë në Stacionin Policor të Podujevës, transmeton KosovaPost.

IPK përmes një njoftimi thotë se informacionet e para për këtë rast i kishte pranuar nga  Policia e Kosovës ku dyshohej se zyrtarët policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe atë  brenda zyrave të stacionit policor kanë keqtrajtuar dy qytetarë (njëri nga ta i mitur) që ndodheshin në ndalim”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se hetimet lidhur me këtë rast ndaj katër zyrtarëve policorë  janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt  me dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

“Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet në njoftim.