I akuzuari Boban Toniq është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për krime lufte në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit gjatë periudhës së luftës.
Fillimisht, u lexua aktakuza nga prokurori special, Atdhe Dema, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, gjykatësi i rastit Rrahaman Beqiri njoftoi të akuzuarin me të drejtat që ka, e më pas Toniq u deklarua i pafajshëm.
Aktakuza thotë se të burgosurit ishin torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte deri në alivanosje.
Viktimat kanë deklaruar se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha trupore, dhunë psikike, kanë mbetur pa ngrënë me ditë të tëra, duke iu shkaktuar ankth dhe frikë e duke iu cenuar rëndë dinjiteti.
Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se më 24 maj 1999 e deri më 10 qershor 1999, Toniq akuzohet se në bashkëkryeje me zyrtarë të tjerë të burgut, me dashje dhe duke shkel rregullat e të drejtës ndërkombëtare, në bashkëkryerje me ish-gardianët Jovanoviq, Sutkoviq dhe Gjokiq, pasi i kanë transferuar të burgosurit nga burgu Dubravës në të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, kishin formuar fillimisht kordon dhe më pas kishin filluar t’i godisnin të burgosurit me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte, e pas kësaj në mënyrë sistematike i kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore, duke iu shkaktuar lëndime trupore, duke i lënë pa ngrënë me ditë të tëra, duke i ofenduar e sharë, dhe i kanë kanosur se do t’i vrasin të gjithë, duke ua cenuar rëndë dinjitetin njerëzor dhe se pasojat i bartin ende viktimat.
Për këto veprime, Toniq ngarkohet me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.



Të tjera
Zakonet e njerëzve që kanë durim
Mbi 15 vjet bashkëpunim dhe stërvitje të përbashkëta
Rasti i Arianit Sllamnikut, policia fton për intervistim qytetarët që kanë pranuar shërbime