Duke përkujtuar Betejën e Koshares në përvjetorin e 26-të saj, ish gazetari gjatë luftës për Kosovën, Rexhep Shahu, thotë Kosharja, është beteja më e vjedhur në historinë e Kosovës, pasi të gjallët asnjëherë nuk i kanë vlerësuar sa duhet të rënët në këtë betejë.
“Është beteja me epike e luftëtarëve të Kosovës, ballë për ballë, beteja më e vjedhur kush mundet vjedh lavdi në të, beteja të cilës të gjallët nuk ia kanë vlerësuar sa duhet të rënët e saj, beteja ku ka rënë ideologu e ndoshta arkitekti i saj Sali Çekaj i cili është i pari ndër të parët në Kosovë që kur të tjerët pothuaj e kishin harruar lirinë organizoi e drejtoi aksione luftarake guerile kundër Serbisë, ishte i vetmi në betejën e Koshares e në luftën e Kosovës që kishte ushtri të tij ushtri me shokët e tij, kishte grup të vetin luftarak, kishte spartanët e tij”, shprehet Shahu.
Sipas tij, Sali Çekaj ishte politikani më i lartë i Kosovës nga politikanët e atëhershëm që mori pushkën e doli në luftë.
“Ishte një nga kuadrot më të shkolluar të Kosovës që doli në luftë, ishte jurist, gjyqtar, ishte nga të rrallët, ndoshta i vetmi kryetar pushteti, kryetar komiteti rajonal që doli në luftë me pushkë në dorë, ishte ndoshta ndër të vetmit që kushtetutën e Kaçanikut e vuri në zbatim. Ishte artikulues i jashtëzakonshëm, frymëzues. Me gjithë jetën e vdekjen e tij është model frymëzimi por në liri nuk ia keni bërë nderet që i meriton. Ai nuk ra për Kosovën që të merrte ndere. Atij nuk i vyjnë nderet tona, por na vyjnë ne, na japin nder e dinjitet ne. Ai për lirinë tonë e prishi rehatinë, karrierën dhe e dha jetën, s’ka ç’të japë më shumë heroi”, deklaron Shahu.

Shahu kritikon ashpër si shtetin e Kosovës, ashtu edhe atë të Shqipërisë, të cilët sipas tij, nuk kanë bërë asgjë për ta lartësuar figurën e Sali Çekajt dhe Betejës së Koshares.
“Ne nuk i japim tre metër katror vend për t’i bërë një shtatore nderi në Prishtinë para parlamentit, para kryeministrisë. Nuk ia japim tre metër vend e nuk ia bëjmë një shtatore sa njeriu se duhet ta shohim e të na shohë përditë e na bën me turp. Nuk ia vemë emrin e tij një shkolle, një udhe, një institucioni. Harrojmë ta pohojmë në institucionet e sallat solemne se ai ishte drejtuesi, ai ishte dëgjuesi, ai jepte mend. Na pëlqen ta rrafshojmë me të tjerët por harrojmë ta pohojmë me zë të lartë se ai i udhëhiqte të tjerët, se ishte më trimi, më i qarti, më i kthjellti, më politikani, më shtetari, më organizatori me punë, me pak demagog se të tjerët”, përfundon Rexhep Shahu
Të tjera
Manchesteri ngjyroset me të kaltër, City mposht bindshëm Unitedin
Barcelona me rezultat tenistik ndaj Valencias
Vuçiq sërish e angazhoi Radoiçiqin dhe anëtarët e organizatës së tij paramilitare në tubim