Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se shtetasi i Kosovës, Milan Vukashinoviq, është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, transmeton KosovaPost.
“Sot inspektova pjesën e kufirit shtetëror ku dyshohet se u kidnapua shtetasi ynë, Milan Vukashinoviq. Në bazë të informatave dhe dëshmive të siguruara nga autoritetet tona, tashmë është e ditur se duke u shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës, z. Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe,” ka shkruar Sveçla.
Ai ka shtuar se Vukashinoviqi, pas plagëve të marra, po trajtohet në spitalin e Nishit në Serbi.
“Serbia po dëshmohet çdo ditë e më shumë jo vetëm si shtet agresor ndaj fqinjëve të saj, por edhe në thelb si shtet antidemokratik, pasi që z. Vukashinoviq ende po i mohohet mbrojtja ligjore e cila edhe në vendet më diktatoriale garantohet me ligj,” ka theksuar ministri në detyrë.
Sveçla bëri të ditur se institucionet e Kosovës po zhvillojnë hetime intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe për identifikimin e të gjithë akterëve të përfshirë në këtë rrëmbim.
Në fund, ai ka apeluar ndaj bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë presionin dhe të ndërmarrë masa ndaj Serbisë, për siç tha, “të ndëshkuar sjelljet kriminale e destabilizuese ndaj Kosovës dhe për të parandaluar tensione të tjera në rajon”.



Të tjera
Dërgohet në mbajtje polici që goditi për vdekje një person në Prizren
Qumësht me mjaltë janë baza e shëndetit të mirë
Një lojë e vjetër politike/ Beogradi dhe Moska po “përplasen” lidhur me ndihmën ushtarake për Ukrainën