Gjykata Speciale ka vendosur sot lirimin me kusht të Isni Kilajt, pas rishikimit të fundit të masës së paraburgimit në “Çështjen 12”, ku ai gjykohet së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.
Në vendimin e datës 3 dhjetor, gjykatësi i çështjes arriti në përfundimin se rrethanat kanë ndryshuar që nga tetori dhe se vazhdimi i paraburgimit të Kilajt nuk është më i arsyeshëm dhe as proporcional.
Edhe pse u vlerësua se ekziston njëfarë rreziku për ndërhyrje në proces ose kryerje të veprave të tjera, gjykatësi theksoi se e drejta për liri, në këtë fazë, peshon më shumë.
Mes faktorëve kryesorë të përmendur në vendim janë: Paraburgimi i kaluar tashmë tejkalon dënimin minimal me të cilin Kilaj do të përballej nëse shpallej fajtor; Gjatë lirimit të tij të mëparshëm me kusht në vitin 2024 nuk është regjistruar asnjë përpjekje për pengim të procesit; Faza e provave në çështjen ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit ka përfunduar; Rreziku për ndikim ndaj dëshmitarëve në “Çështjen 12” konsiderohet shumë i ulët; Nuk ekziston rrezik arratisjeje, duke marrë parasysh historikun e tij të paraqitjes dhe dorëzaninë financiare të ofruar.
Kilaj mbetet ende i akuzuar dhe lirimi i tij shoqërohet me kushte strikte, të vendosura për të parandaluar çdo ndërhyrje në proces. Gjykata ka paralajmëruar se çdo shkelje e kushteve do të rezultojë me fletarrestim të menjëhershëm.



Të tjera
Policia e Kosovës dhe Ambasada Amerikane zhvillojnë ushtrim të gjerë sigurie në Prishtinë
Zotëria i Parë Prindon Sadriu ftohet në Shtëpinë e Bardhë në Samitin e Organizuar nga Zonja e Parë, Melania Trump
Paga e 13-të është në buxhetin 2026, por opozita nuk e votoi