Ushtria izraelite i ka bërë thirrje banorëve të qytetit të Gazës të largohen drejt një “zone humanitare” të shpallur nga Izraeli, e cila ndodhet më në jug të Rripit të Gazës, ndërsa planifikon të zgjerojë operacionet e saj ushtarake në enklavën palestineze.
“Që tani e tutje, dhe me qëllim lehtësimin e largimit të banorëve nga qyteti, ne e shpallim zonën (bregdetare) të Al-Mawasi (në pjesën jugore të Rripit të Gazës) një zonë humanitare për banorët e Qytetit të Gazës dhe të gjithë të pranishmit atje”, thuhet në një mesazh në arabisht i cili u postua në mediat sociale nga Avichai Andrai, zëdhënësi i ushtrisë izraelite për publikun arabishtfolës.
“Shfrytëzoni mundësinë për të lëvizur pa vonesë në zonën humanitare dhe për t’u takuar me mijëra njerëz që kanë shkuar atje”, shtohet në tekst.
OKB vlerëson se rreth një milion njerëz janë në zonën e Qytetit të Gazës dhe paralajmëron për një “katastrofë” në rast të zgjerimit të operacioneve izraelite atje.
Ushtria izraelite sqaroi se zona humanitare në zonën Al-Mawasi të Khan Yunis do të përfshijë infrastrukturë të tillë si spitale fushore, tubacione uji, impiante shkripëzimi dhe furnizime ushqimore.
Izraeli po përballet me presion si brenda dhe jashtë vendit për të ndërprerë atë pushtim dhe për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Hamasi, ra dakord për një propozim armëpushimi muajin e kaluar që përfshinte ndaljen e përkohshme të luftimeve dhe lirimin gradual të pengjeve të mbajtura në Gaza, megjithatë, Izraeli kërkon që grupi militant palestinez të lirojë të gjithë pengjet menjëherë, të dorëzojë armët dhe të heqë dorë nga kontrolli i Gazës.
Të tjera
Policia nuk i la shans kr*imit e te*rrorizmit në veri
S’ka krizë e as kërcënim që e lëkund besimin tuaj ndaj Republikës
Mund të vijë në Kiev