Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shmangu nga përcaktimi i situatës në Rripin e Gazës si gjenocid, por e përshkroi atë si “tmerruese”, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi vendimin e Komisionit Hetimor të OKB-së që Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, Guterres tha: “Nuk i takon Sekretarit të Përgjithshëm të bëjë përcaktimin ligjor të gjenocidit; kjo u takon organeve të duhura gjyqësore, konkretisht Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.
“Ajo që po ndodh sot në Gaza është tmerruese”, tha ai gjatë një konference për shtyp.
Duke e quajtur situatën në qytetin e Gazës “shkatërrim sistematik”, Guterres tha: “Po shohim vrasje masive të civilëve në një mënyrë që nuk e mbaj mend në asnjë konflikt që prej kur jam Sekretar i Përgjithshëm”.
Ai theksoi se pengesat izraelite për shpërndarjen e ndihmave dhe urdhrat e përsëritura për zhvendosje janë “diçka moralisht, politikisht dhe ligjërisht të papranueshme”.
Duke u pyetur për mundësinë e një force të OKB-së që të dërgohet në Gaza për të mbrojtur civilët, Guterres tha se kjo nuk do të ishte e mundur.
“Ajo do të refuzohej nga Izraeli, dhe, besoj, gjithashtu do të refuzohej edhe nga SHBA-ja,” shtoi ai.
Duke shprehur shpresën për një armëpushim të përhershëm në Gaza dhe lirimin e pengjeve, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha: “Por në këtë moment, duket se Izraeli është i vendosur të shkojë deri në fund dhe nuk është i hapur për negociata serioze për armëpushim, me pasojën dramatike – nga pikëpamja izraelite – që ai gjithashtu nuk lejon lirimin e pengjeve që ne gjithmonë kemi thënë se duhet të ndodhte menjëherë dhe pa kushte”.
“Pra, le të jemi të qartë: Me sulmin që ndodhi në Katar, nuk duket se Izraeli është i interesuar për negociata serioze për armëpushim dhe lirimin e pengjeve”, tha ai.
Duke folur për pamundësinë e OKB-së për të zgjidhur problemet, Guterres theksoi se “një gjë që nuk mund ta zgjidh është kapaciteti i Këshillit të Sigurimit”.
“Paraliza e Këshillit të Sigurimit është burim i papërgjegjësisë që minon punën tonë”, tha ai, duke shtuar se “nuk është OKB-ja, por janë shtetet anëtare që janë të ndara që nuk lejojnë që OKB-ja të punojë siç duhet”.
Të tjera
Dëshmia e James Rubin është përshkrimi më realist i periudhës së lu*ftës
Të rinjtë, çelësi për bashkëpunim dhe paqe në rajon
Iz*raeli nuk duket i interesuar për “negociata serioze për armëpushim” në Ga*za