Ja çka kërkuan bizneset nga drejtuesit e sistemit gjyqësor?

Ja çka kërkuan bizneset nga drejtuesit e sistemit gjyqësor?

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka zhvilluar një takim me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, me qëllim diskutimin e përpjekjeve të përbashkëta për forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e një klime të sigurt juridike për investitorët.

Në këtë takim u theksua rëndësia e rritjes së transparencës dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë në trajtimin e rasteve që prekin ekonominë dhe sektorin privat.

U.d. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, dhe kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, folën për përkushtimin institucional në luftimin e korrupsionit, sigurinë në punë dhe trajtim të drejtë të rasteve ekonomike, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit. Ata inkurajuan qytetarët dhe bizneset që të përdorin kanalet zyrtare për raportimin e shqetësimeve, si mënyrë për të rritur besimin dhe llogaridhënien në sistemin e drejtësisë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se Oda Amerikane ka qenë dhe mbetet promotore e sundimit të ligjit si bazë për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe klimë të besueshme investimi.

Ndërkaq, Korab Sejdiu, kryesues i Komitetit të Shërbimeve Financiare dhe Klimës Investuese në Odën Amerikane, vuri në pah nevojën për adresimin e rasteve specifike që kërkojnë vëmendjen e institucioneve të drejtësisë, me qëllim përmirësimin e perceptimit publik dhe të klimës së investimeve në Kosovë.

Përfaqësuesit e sektorit privat gjatë diskutimit ngritën disa shqetësime lidhur me funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe ndikimin e tij në mjedisin e biznesit.Në fund të takimit, Oda Amerikane rikonfirmoi gatishmërinë për të mbështetur çdo nismë që forcon sundimin e ligjit, llogaridhënien dhe pavarësinë institucionale, duke vlerësuar njëkohësisht progresin e arritur ndër vite nga institucionet e drejtësisë në Kosovë./kp