Jahjaga takon presidentin Obama në ShBA, kërkon mbështetje për Kosovën

Jahjaga takon presidentin Obama në ShBA, kërkon mbështetje për Kosovën

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë pjesë sot në Samitin Global në Erie, Pensilvani, me ftesë të The Jefferson Educational Society, ku ka folur për adresimin e pasojave të luftës gjatë mandatit të saj presidencial.

Në margjinat e këtij samiti, Jahjaga është takuar me ish-presidentin amerikan, Barack Obama, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kosovës, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të ShBA-ve ndaj vendit tonë.

Ajo i ka kërkuar Obamës angazhim të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve mes ShBA-së dhe Kosovës, të cilat së fundi janë sfiduar pas pezullimit të dialogut strategjik.

Po ashtu, Jahjaga ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së tij për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Kosova nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë aleat më të madh se ShBA-ja dhe populli amerikan. Falë këtij partneriteti, ne sot gëzojmë lirinë, pavarësinë, njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në shumë organizata botërore. Për këtë mbetemi përjetësisht falënderues”, ka thënë ish-presidentja Jahjaga.