“Nesër i marr gërshërët te kovaçi” – Zafir Berisha: Jam në bisedime me VV-në dhe PDK-në për Prizren

Jam në bisedime me VV-në dhe PDK-në për Prizren

Kryetari i Bashkimit Demokratik të Prizrenit (BDP), Zafir Berisha, ka bërë të ditur se është në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjen Vetëvendosje (VV) në prag të balotazhit për kryetar të komunës së Prizrenit, që do të mbahet më 9 nëntor.

Ky subjekt politik ka arritur të sigurojë tre këshilltarë komunalë në Kuvendin e Prizrenit, duke u bërë një faktor potencial në përcaktimin e kryetarit të ardhshëm, transmeton KosovaNews.

Berisha ka konfirmuar se vendimi për mbështetjen eventuale të ndonjërit prej dy subjekteve do të merret shumë shpejt.

“Jam në bisedime me dy partitë, brenda këtyre dy ditëve do të vendosim. Nesër i marr gërshërët te kovaçi,” është shprehur Berisha me ironi, duke nënkuptuar se po përgatitet për një vendim të prerë politik.

Në zgjedhjet e 12 tetorit, Berisha kishte marrë 3 mijë e 123 vota në garën për kryetar të komunës.

Pas përfundimit të numërimit të votave, Shaqir Totaj nga PDK prin me 41.45%, ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, renditet i dyti me 30.39% të votave.

Ndërkohë, LDK në Prizren ende nuk ka marrë vendim se si do të pozicionohet në balotazhin e 9 nëntorit..

Ndërkaq, kujtojmë se Artan Abrashi deri më tani ka ndojftuar se ka lidhur marrëveshje koalicioni me AAK-në, NDS-në dhe Partinë Rome të Bashkuar.