Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy “nuk është gati” të miratojë planin e paqes të hartuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Trump u shpreh kritik ndaj Zelenskyyt, vetëm një ditë pasi negociatorët amerikanë dhe ukrainas përfunduan ciklin prej tre ditësh bisedime, të cilat synonin afrim qëndrimesh për propozimin e administratës amerikane. Në një prononcim për gazetarët, Trump tha se vetë Zelenskyy po e pengon avancimin e bisedimeve.
“Jam pak i zhgënjyer që presidenti Zelenskyy ende nuk e ka lexuar propozimin. Kjo ishte gjendja para pak orësh. Njerëzit e tij e pëlqejnë, por ai jo”, tha Trump, para se të merrte pjesë në ceremoninë Kennedy Center Honors.
“Rusia, mendoj se është në rregull me të, por nuk jam i sigurt që Zelenskyy është. Populli i tij e pëlqen. Por ai nuk është gati”, shtoi Trump.
Megjithatë, presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e ka shprehur publikisht miratimin për planin amerikan. Përkundrazi, javën e kaluar ai deklaroi se disa elemente të propozimit ishin “të papranueshme”, edhe pse drafti fillestar shihej si i favorshëm për Moskën.
Trump, i cili në mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë e ka cilësuar luftën në Ukrainë si “shpenzim të panevojshëm të parave të taksapaguesve amerikanë”, ka pasur një marrëdhënie të luhatshme me Zelenskyyn. Ai ka bërë vazhdimisht thirrje që Ukraina të dorëzojë territor ndaj Rusisë, për t’i dhënë fund konfliktit që tashmë po i afrohet katër viteve.
Zelenskyy, nga ana tjetër, bëri të ditur të shtunën se kishte zhvilluar një “telefonatë përmbajtjesore” me zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas në bisedimet e zhvilluara në Florida, duke pranuar se ishte informuar mbi ecurinë e negociatave.
“Ukraina mbetet e përkushtuar të punojë me mirëbesim me palën amerikane për të arritur një paqe të vërtetë”, shkroi ai në rrjete sociale.
Ndërkohë, Moska e ka përshëndetur strategjinë e re të sigurisë kombëtare të administratës Trump, dokument që përcakton prioritetet e politikës së jashtme të SHBA-së. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se dokumenti ishte “kryesisht në përputhje me vizionin e Rusisë”.
“Aty ka deklarime kundër konfrontimit dhe në favor të dialogut e marrëdhënieve të mira”, tha Peskov, duke shtuar se Moska shpreson që kjo të çojë në “bashkëpunim më konstruktiv me Uashingtonin për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë”.
Strategjia e publikuar të premten nga Shtëpia e Bardhë theksonte se normalizimi i marrëdhënieve me Rusinë dhe përfundimi i luftës në Ukrainë janë çështje kyçe për “rivendosjen e stabilitetit strategjik”.
Kryenegociatori në largim i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, deklaroi se përpjekjet për të përfunduar luftën “janë në 10 metrat e fundit”. Ai theksoi se marrëveshja varet nga dy çështje kyçe: territori – kryesisht Donbasi – dhe centrali bërthamor i Zaporizhias.
Rusia aktualisht kontrollon pjesën më të madhe të Donbasit, të cilin e ka aneksuar bashkë me dy rajone të tjera në vitin 2022. Centrali bërthamor i Zaporizhias, i pushtuar herët në luftë, mbetet jashtë funksionit dhe kërkon furnizim të sigurt me energji për të shmangur incidente bërthamore.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë pritet të takohen me Zelenskyyn të hënën në Londër, në përpjekje për të koordinuar qëndrimet ndaj procesit të paqes.
Në terren, ndërsa bisedimet po përmbylleshin, sulmet ruse me raketa, dronë dhe predha shkaktuan të paktën katër viktima gjatë natës të së dielës në Ukrainë.



Të tjera
VV publikon listën, ish-sekretari i MSH-së Naim Bardiqi mes emrave që synojnë kuvendin!
Shkencëtarët premtojnë “domate djegëse” për tryeza
Fadili me LDK-në, ndërsa Fatosi, djali i Halilit, në GUXO