Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar mbrëmjen e sotme se është shumë i zhgënjyer me homologun rus, Vladimir Putinin.
Lideri amerikan kishte shpresuar që një takim ballë për ballë me presidentin rus në Alaskë muajin e kaluar do të ndihmonte në nisjen e një procesi paqeje në Ukrainë.
Por që nga ajo kohë, nuk është arritur asnjë marrëveshje apo takim pasues, ndërkohë që Rusia ka vazhduar me sulmet ajrore vdekjeprurëse ndaj Ukrainës – javën e kaluar duke vrarë dhjetëra persona në Kiev pas një nate me sulme me dronë.
“Jam shumë i zhgënjyer prej tij – ai e di. Ne kemi një marrëdhënie të mirë”, tha Trump në emisionin Scott Jennings Radio Show.
“Shumë i zhgënjyer. Mijëra njerëz po vdesin. Nuk janë amerikanë ata që po vdesin, por janë rusë dhe ukrainas dhe janë me mijëra. Do të shohim çfarë do të ndodhë, por jam shumë i zhgënjyer me presidentin Putin, mund ta them këtë. Ne do të bëjmë diçka për të ndihmuar njerëzit të jetojnë. Nuk është çështje e Ukrainës, është çështje e ndihmës për jetën e njerëzve”, deklaroi 79-vjeçari.
Trump gjithashtu deklaroi se “nuk është aspak i shqetësuar” për formimin e një boshti kundër SHBA-së që përfshin Kinën dhe Rusinë, ndërkohë që presidenti kinez, Xi Jinping po pret liderë të ndryshëm, përfshirë edhe Putinin.
Kjo nuk është hera e parë që Trump shpreh zhgënjimin e tij ndaj Putinit. Megjithatë, pavarësisht sinjaleve të mëhershme se mund të vendoste sanksione ndaj Rusisë dhe vendeve që blejnë naftë prej saj, ai rrallëherë ka ndjekur fjalët me veprime konkrete për të ndëshkuar Putinin për luftën në Ukrainë.
Të tjera
Kurti në Gjykatë për rastin ndaj Klinakut, i akuzuar për kanosje ndaj tij
Reagimi i shpejtë i policisë shpëton jetën e një 21-vjeçareje në Ferizaj
Kurti përballet me Faton Klinakun në Gjykatë