Kriza humanitare në Rripin e Gazës ka arritur nivele alarmante, me një në pesë fëmijë në Qytetin e Gazës që vuajnë nga kequshqyerja, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).
Në një deklaratë të lëshuar të enjten, Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-s, Philippe Lazzarini, tha se situata është aq e rëndë, saqë një koleg i tij në terren e përshkroi kështu: “Njerëzit në Gaza nuk janë as të vdekur as të gjallë, ata janë kufoma në këmbë.”
Sipas UNRWA-s, më shumë se 100 persona – shumica dërrmuese fëmijë – dyshohet se kanë vdekur nga uria, ndërsa rastet e kequshqyerjes po rriten me ritme të frikshme. Lazzarini bëri thirrje urgjente që Izraeli të lejojë akses të pakufizuar dhe të pandërprerë për ndihmat humanitare.
“Shumica e fëmijëve që ekipet tona po shohin janë të dobët, të pafuqishëm dhe në rrezik të lartë vdekjeje nëse nuk marrin trajtimin që u nevojitet urgjentisht,” tha ai. Ai shtoi gjithashtu se punonjësit e UNRWA-s po bien të fikët nga uria ndërsa janë në detyrë, duke paralajmëruar se i gjithë sistemi humanitar është në prag të kolapsit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) theksoi të mërkurën se një pjesë e madhe e popullsisë së Gazës është në proces “vdekjeje nga uria”. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi: “Nuk di si ta quash ndryshe përveçse uri masive – dhe ajo është e shkaktuar nga njeriu.”
Izraeli, i cili kontrollon hyrjen e furnizimeve në Gaza, mohon ekzistencën e një rrethimi dhe fajëson Hamasin për kequshqyerjen dhe kaosin pranë vendeve të ndihmave. Megjithatë, OKB-ja paralajmëron se niveli i ndihmave është “i pakët” dhe se kriza aktuale e urisë nuk ka pasur precedent.
Pas një bllokade të plotë në mars, shpërndarja e ndihmave u lehtësua pjesërisht, por mungesa e ushqimeve, karburantit dhe ilaçeve vazhdon të përkeqësohet. Së bashku me SHBA-në, Izraeli ka krijuar një sistem të ri shpërndarjeje ndihmash, të drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), por ndërhyrjet mbeten të kufizuara dhe shpesh të rrezikshme për civilët.
Të tjera
Juventusi “hallakatet” në merkato
Kapet një person në Prishtinë me 38 qese kokainë
“Mendoni për Enver Zymberin e Afrim Bunjakun”, Avdyli thotë se barazimi i Rashiqit me Simiqin është rrezik për sovranitetin