Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka reaguar pas deklaratës së presidentes së vendit, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se gjendja në shkollat publike nuk është e mirë.
Jasharaj përmes një njoftimi për media iu ka drejtuar Osmanit duke i thënë se gjendja në shkollat publike të Kosovës nuk është aq e mjerë, por edhe shumë e mirë nuk është.
“Probleme me kanalizimin, me papastërtinë, me mungesën e ujit , bllokimi i tualeteve , ndërprerja e rrymës dhe e nxehjes janë gjithë këto probleme, me të cilat është përballur për vite një shkollë, ashtu siç ka deklaruar presidentja duke u arsyetuar pse i ka hequr fëmijët e saj nga ai institucion arsimor dhe i ka dërguar në një institucion shkollor privat. Nëse cilën do shkollë e kemi në këtë gjendje të mjerë atëherë përfaqësuesit e lartë të institucioneve nuk mjafton të flasin e tregojnë pas tri a katër viteve, por të veprojnë me nguti, që të krijohen bile kushtet minimale të punës në çdo institucion arsimor”, ka thënë Jasharaj.
Tutje ai tha se probleme me kanalizimin e tualetet mund të ndodhin kohë pas kohe, por ato evitohen.
“Sa i takon rrymës dhe ujit shkolla ndan fatin me rrethin ku vepron si institucion arsimor. Pra, nuk ka raste kur rryma e uji dhe nxehja i ndalen me qëllim vetëm shkollës , po ndërprerja për cilat do arsye qofshin përfshinë edhe banesat e shtëpitë në atë lokalitet”.
Kryetari i SBASHK-ut po ashtu tha se: “E nderuar Presidente SBASHK-u nuk ka shënime që gjendja në shkollat publike të Kosovës është aq e mjerë, por edhe shumë e mirë nuk është. Institucionet qendrore nuk kanë bërë detyrën e tyre me qëllim që të ndahen mjete në shumën duhur që shkollat tona të jenë të shekullit 21 me mjete pune dhe ambiente e jo të punohet ende me shkumës e shpuzë e me tekste shkolloret dëmtuara e stërvjetruara”.
Sipas Jasharajt nuk është zgjidhje e mirë që udhëheqësit fëmijët e tyre t’i dërgojnë në institucione private arsimore që punojnë në kushte shumë të mira e të lihen qindra e mijëra fëmijë të arsimohen në aso kushte që ju i keni cekur.
“Institucionet qendrore duhet të bëjnë shumë më tepër për arsimin publik sepse këtë e kanë obligim”, ka thënë Jasharaj.
Të tjera
Pastroni mushkëritë duke përdorur këto tre ushqime natyrale
Su*lmet e fundit të Iz*raelit ndaj vendeve të rajonit duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi
Dialogu Kosovë-Serbi, temë diskutimi mes Barduanit dhe ambasadores greke