Altin Meçaj, banues në Vjosë dhe emigrant në Gjermani, është bërë pre e një sulmi të dhunshëm mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00, pas një komenti në Messenger drejtuar një bashkëfshatareje, motra e një punonjësi policie të zonës.
Ai rrëfen momentet e tmerrit dhe kërkon drejtësi.
“Mbrëmë, rreth orës 11 të natës, kam arritur në shtëpi. Kur isha te lokali i fshatit, më kishte ardhur një mesazh kërcënues për një ‘like’. Mesazhi më erdhi nga një bashkëfshatar imi, i cili aktualisht është komandant i forcave RENEA në Fier. Like ia bëra motrës së tij në Facebook.
Në momentin që arrita në shtëpi, u fikën dritat vetëm te shtëpia ime dhe u thirra me emër që të dilja jashtë. Porta e madhe dhe porta e shtëpisë janë në një distancë prej 50–60 metrash. Ai ishte te porta e shtëpisë, jo te porta e madhe. Unë dola, sepse mendova se ishte vëllai im.
Në mesazh shkruhej: ‘Nuk e di se me kë je mpleksur’. Sapo dola në derë, më qëlloi direkt dhe më përsëriti të njëjtat fjalë si në mesazh. Ishin të paktën tre persona. Më kanë goditur pa mëshirë dhe më kanë rrëzuar përtokë pa ndjenja.
Nëse unë kam gabuar për një like apo koment, ka edhe falje. Por të arrijë puna deri aty sa të më dërgojnë në spital, kjo është e papranueshme. Goditën edhe babanë tim sapo doli jashtë.
Unë kam punuar në shtëpinë e tyre, kemi pasur marrëdhënie të mira. Fredi Astrit Lamaj quhet. Më tha të njëjtat gjëra si në mesazh. Rashë pa ndjenja dhe, kur u përmenda, e gjeta veten në ambulancë.
Kërkoj që kjo të mos përsëritet më dhe dua të drejtën time. Më është shkelur prona. Telefoni im është marrë me vete dhe nuk e gjej. Sot ka shkuar edhe policia për ta kërkuar, por nuk po e gjen. Logjikisht, e kanë marrë ata”, tha Altin Meçaj.
Ndërkohë, babai i tij 80-vjeçar, Ylli Meçaj, tregon se e ka gjetur të birin të mbuluar me gjak dhe pa ndjenja. Ai thekson se kurrë më parë familja e tyre nuk ka pasur kontradikta me askënd në fshat.



Të tjera
Aspirina nuk rekomandohet për të moshuarit që s’kanë faktorë rreziku
Është në interes të Kosovës që të rizgjidhem presidente
Allegri për lojtarin shqiptar: “Duhet të kuptojë futbollin italian”