Jean-Philippe Mateta afër kalimit te Milani – Ekonomia Online

Jean-Philippe Mateta afër kalimit te Milani

Trajneri i Crystal Palace, Oliver Glasner, ka deklaruar se Jean-Philippe Mateta nuk do të luajë kundër Nottingham Forest pasi AC Milan ka bërë një ofertë për të transferuar sulmuesin.

Palace dëshiron të sigurojë një zëvendësues përpara se ta lejojë largimin e sulmuesit dhe është pranë përfundimit të një marrëveshjeje për afrimin e Evann Guessand nga Aston Villa, ndërsa vazhdojnë bisedimet edhe për Jorgen Strand Larsen të Wolves.

Milani është i gatshëm të paguajë 35 milionë paund për ta blerë Matetën përfundimisht në verë, por dëshiron ta sjellë atë që tani në formë huazimi me detyrim blerjeje.

“Kjo nuk ka të bëjë me transferimet, thjesht ai nuk është në gjendjen e duhur dhe nuk ndihet gati për të luajtur,” tha Glasner në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Forest.

“Duhet ta mbrojmë ekipin dhe ta mbrojmë edhe atë, ndaj nuk do të udhëtojë me ne për në Nottingham”, shtoi ai.

Interesimi i Milanit për Matetën nuk varet më nga gjetja e një klubi të ri për Christopher Nkunku. Ata do të shqyrtojnë opsionet për ish-sulmuesin e Chelseat nëse arrijnë ta sjellin Matetën në Itali.

Palace po diskuton ofertën e Milanit për Matetën dhe, siç raportoi “Sky Sports News” të enjten, oferta prej 35 milionë paundësh e Nottingham Forest për sulmuesin mbetet ende në tavolinë.

Kur u pyet për më shumë detaje mbi mungesën e Matetës këtë fundjavë, Glasner shtoi: “Sërish, ka shumë zhurmë, shumë spekulime, shumë gjëra që po ndodhin. Na duhet çdo lojtar në nivelin e tij më të mirë dhe ai nuk është në formën më të mirë tani për shkak të gjithë kësaj zhurme. Mund të jetë zhurmë futbolli, por nëse dikush ka probleme private dhe nuk mund të fokusohet te futbolli, atëherë nuk ka kuptim të luajë. Ai nuk mund ta ndihmojë ekipin dhe të performojë në nivelin maksimal. Vendosëm që është më mirë të mos luajë. Duhet të përgatitemi nëse ndodh diçka me Matetën.”

Glasner gjithashtu deklaroi se është e mundur që Mateta të mbetet te klubi edhe pas mbylljes së afatit kalimtar të janarit të hënën.

Ai vazhdoi: “Përsëri, për ta bërë të qartë, mund të ndodhë që ai të qëndrojë dhe të jetë lojtar i Palace më 2 shkurt, por mund të ndodhë edhe që ai të largohet dhe të vijë një sulmues i ri. Këto janë dy situatat për të cilat po flasim dhe po diskutojmë aktualisht.”

Palace dëshiron të sigurojë një zëvendësues përpara se Mateta të largohet. Ata janë pranë afrimit të Guessand nga Aston Villa në formë huazimi fillestar dhe vazhdojnë bisedimet për Strand Larsen nga Wolves.

Marrëveshja për Guessand përfshin një detyrim blerjeje prej 28 milionë paundësh, i cili aktivizohet nëse ai bën një numër të caktuar paraqitjesh.

Juventusi shfaqi interes, por shumë vonë për të ndikuar në situatë.

Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë ka rënë dakord për një kontratë katërvjeçare me Palace, nëse dhe kur marrëveshja bëhet përfundimtare.

Ai udhëtoi drejt Londrës të enjten për të finalizuar transferimin dhe pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore të premten.

Marrëveshja e Palace për Strand Larsen, e cila ishte thuajse e rënë dakord verbalisht për rreth 50 milionë paund (45 milionë + 5 milionë bonuse) të enjten, mbeti pezull në mbrëmje për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi bonuset shtesë.

Klubi nga jugu i Londrës ende ka disa detaje për t’i rregulluar në marrëveshje.

Ndërkohë, Leeds vazhdon ta monitorojë Strand Larsen, pasi oferta e tyre fillestare ishte refuzuar.