Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, deklaroi se arritja e paqes së qëndrueshme në luftën Rusi-Ukrainë është “tashmë mjaft afër”, duke theksuar hapat e ndërmarrë drejt këtij qëllimi.
“Sipas mendimit tim, pas katër vitesh lufte, tani jemi mjaft afër një paqeje të qëndrueshme. Të paktën, shohim se disa fusha kyç për paqen po diskutohen në një mënyrë jashtëzakonisht serioze”, tha Fidan për gazetarët në Ambasadën e Türkiyes në Paris, pas takimit të Koalicionit të të Vullnetshmëve për Ukrainën.
Duke përmendur takimin e tij me ministrin e Jashtëm sirian, Asaad Hassan al-Shibani, i cili ishte gjithashtu në Paris për një takim trilateral, Fidan tha se diskutuan disa çështje dhe se Ankaraja po ndjek nga afër bisedimet mes Izraelit, Sirisë dhe ShBA-së.
“Jemi në konsultime të vazhdueshme me të dy palët, atë siriane dhe atë amerikane. Pas atyre bisedimeve u takuam me të. Patëm mundësinë të diskutojmë në detaje disa çështje, si faza e arritur në negociatat e sotme, ashtu edhe rezultatet, ose mungesën e tyre, të takimeve që ata zhvilluan me YPG-në disa ditë më parë. I shqyrtuam këto çështje shumë thellë”, shtoi Fidan.
Ai përmendi gjithashtu takimin me ambasadorin amerikan në Ankara dhe emisarin special për Sirinë, Tom Barrack, duke thënë se mori informacion mbi rrjedhën e bisedimeve trilaterale dhe ndau qëndrimet e tij.
Veprimet provokuese të Izraelit
Për veprimet provokuese të Izraelit në Siri, Fidan tha: “Këto veprime provokuese janë një vazhdim i politikave ekspansioniste dhe ndarëse të Izraelit që kryhen në një shkallë më të gjerë në rajon. E shohim këtë qartë. Për stabilitetin rajonal është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëhen vlerësimet e nevojshme, të analizohen dhe të merren masat e duhura”.
Ai theksoi se kjo është një çështje që duhet ta adresojnë vendet rajonale, por nënvizoi gjithashtu rolet serioze që mund të luajë ShBA-ja.
Fidan nënvizoi se lëvizja e fundit e Izraelit lidhur me Somalilandin është një nga projektet e tij për të përhapur paqëndrueshmëri në rajon.
“E shohim këtë shumë qartë. Sidomos pasi Siria është fqinj i ynë, gjithçka që ndodh atje na prek drejtpërdrejt. Shpresojmë të gjejmë një kornizë negociatash dhe marrëveshjeje që të kënaqë të gjitha palët dhe të sjellë stabilitet”, shtoi ai.
Samiti për Ukrainën
Duke përshkruar samitin për Ukrainën në Paris si “të rëndësishëm”, Fidan tha: “Ne morëm pjesë në samit duke përfaqësuar presidentin tonë. Përveç vendeve, ishin të pranishme edhe institucione si BE-ja dhe NATO, së bashku me drejtuesit e tyre. U diskutuan çështje të rëndësishme”.



Të tjera
SHBA-ja kërkon përgjegjësi nga Beogradi për diskriminimin e shqiptarëve në Luginë
BE-ja ngrin punën për marrëveshjen tregtare me SHBA-në “deri në një njoftim të mëtejshëm”
10 shenja të kancerit të gjirit që nuk fliten shumë