Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar pas raportimeve për votim kolektiv dhe forma të tjera të cenimit të votës së lirë nga Lista Serbe, duke kërkuar reagimin e menjëhershëm të Policisë dhe Prokurorisë së Shtetit, për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
Fetoshi ka deklaruar se votimi kolektiv i organizuar nga Lista Serbe, i shoqëruar me presione, shantazhe, kërcënime dhe dyshime për “blerje” vote, përbën ndërhyrje brutale të Serbisë në zgjedhjet e Kosovës.
Sipas tij, këto veprime synojnë dëmtimin e imazhit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, si një standard tashmë i konfirmuar i Kosovës, si dhe cenimin e vullnetit politik të qytetarëve serbë, duke i shndërruar ata në instrument politik kundër shtetit të Kosovës.
Fetoshi thekson se veprimet e orkestruara nga Beogradi përbëjnë shkelje flagrante të Rregullores së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr. 07/2024, dhe se institucionet përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duhet të veprojnë pa vonesë.
“Policia dhe Prokuroria duhet të hetojnë dhe të sanksionojnë çdo formë presioni dhe manipulimi të votës”, ka theksuar ai në Facebook.
Sipas Fetoshit, mbrojtja e integritetit të procesit zgjedhor është detyrim institucional dhe kushtetues, ndërsa çdo tolerim i këtyre veprimeve do të nënkuptonte “normalizim” të ndërhyrjes së Serbisë në punët e brendshme të Kosovës.
Ai ka rikujtuar se ndërhyrjet e Serbisë në proceset zgjedhore janë konfirmuar edhe më herët nga misionet ndërkombëtare vëzhguese, duke theksuar se Kosova nuk guxon t’i normalizojë këto praktika dhe as të lejojë që zgjedhjet e saj të përdoren si instrument destabilizues.



Të tjera
Shkon në mbi 750 mijë numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 17:29
Procesi zgjedhor po vijon pa probleme, kemi angazhuar 6,250 zyrtarë policorë
Juventusi interesohet për Nkunkun, mund ta ofrojë edhe një lojtar për të