Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” nuk përfaqësojnë vetëm një sukses sportiv dhe diplomatik për Kosovën, por edhe një nga projektet me ndikimin më të madh ekonomik që vendi ka ndërmarrë ndonjëherë.
Organizimi i këtij eventi madhor pritet të gjenerojë investime të konsiderueshme në infrastrukturë, përfshirë ndërtimin dhe modernizimin e objekteve sportive, rrugëve, transportit publik dhe kapaciteteve hoteliere, duke krijuar mijëra vende pune direkte dhe indirekte gjatë viteve të përgatitjes.
Zëdhënësi i Komitetit Olimpik të Kosovës, Kushtrim Krasniqi, thotë për KosovaPress, se për dy javë sa do të zgjasin Lojërat Mesdhetare, Kosova do të ketë përfitime të mëdha financiare.
Krasniqi shton se si shtet, Kosova synon që të jetë shembulli më i mirë deri më tani o organizimit të ojërave Mesdhetare
“Synimet tona janë që Kosova të jetë shembull i organizimit të Lojërave Mesdhetare edhe për shtetet e tjera të cilat do ta marrin një organizim të tillë. Ky është qëllimi kryesor dhe jo vetëm shembull për Lojërat Mesdhetare apo Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, por shembull edhe për sportet e tjera, sepse lojërat mesdhetare do të përdoren si referencë nga federatat për të marrë organizime madhore të cilat synojnë që t’i organizojnë në Kosovë”, deklaroi Krasniqi.
Në planin afatgjatë, trashëgimia ekonomike e Lojërave Mesdhetare pritet të jetë edhe më e madhe. Objektet sportive dhe infrastruktura e ndërtuar do të shërbejnë për aktivitete të tjera ndërkombëtare, do të tërheqin investime të reja dhe do të ndikojnë në zhvillimin urban të Prishtinës dhe rajoneve përreth. Përmes Prishtina 2030, Kosova synon të pozicionohet si një destinacion i besueshëm për ngjarje të mëdha sportive dhe kulturore, duke e shndërruar sportin në një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe imazhit ndërkombëtar të vendit. A. Bytyçi



Të tjera
Të mbash sekrete apo të fshehta nuk është mirë për shëndetin
Kamberi takon ambasadorin Canaj, diskutohen çështjet e Luginës së Preshevës
Aksion i madh kundërkorrupsion i AKI dhe Policisë, arrestohet një ish-ministër