Juventus ka hedhur një hap konkret drejt përforcimit të repartit ofensiv. Drejtori sportiv i klubit, Marco Ottolini, ndodhet në Stamboll, ku synon të avancojë dhe mbyllë bisedimet për sulmuesin e Fenerbahçes, Youssef En-Nesyri.
“Zonja e Vjetër” është në kërkim të një sulmuesi qendre gjatë merkatos së janarit, sidomos pas dëmtimit afatgjatë të Dusan Vlahovic, i cili gjithashtu po hyn në fazën vendimtare të kontratës së tij që skadon në verën e vitit 2026. Kjo ka shtyrë drejtuesit bardhezinj të eksplorojnë alternativa më të përballueshme financiarisht.
Edhe pse më herët ishte përmendur emri i Jean-Philippe Mateta nga Crystal Palace, kërkesat e klubit anglez e kanë bërë atë pistë thuajse të pamundur për momentin. Në këtë situatë, profili i En-Nesyri-t shihet si një zgjidhje më reale, pasi Fenerbahçe është e hapur për një huazim me opsion ose detyrim blerjeje.
Sipas Calciomercato.com, Juventusi ka zhvilluar tashmë kontakte me rrethin e lojtarit, ndërsa Ottolini pritet të takohet personalisht me En-Nesyri-n, agjentët e tij dhe drejtuesit e klubit turk për të finalizuar detajet e marrëveshjes.
Huazimi i sulmuesit maroken deri në fund të sezonit 2025/26 do t’i kushtonte Juventusit rreth 5 milionë euro, shumë që mbulon pjesërisht pagën e tij aktuale, e cila arrin në 8 milionë euro në sezon. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse palët do të gjejnë gjuhë të përbashkët për klauzolën e blerjes, pasi Fenerbahçe insiston në një detyrim, ndërsa Juventusi preferon të mbajë fleksibilitetin.
Negociatat janë në zhvillim dhe ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e En-Nesyri-t.



Të tjera
“Ndihma, ndihma, fonde, fonde – Për 5 vjet ua ngushton lakun qytetarëve, tani ju doket çlirim”, Gruda për Kurtin
Vjosa Osmani tregon bisedën me Trump dhe ndan detajet nga takimi në Davos- Më dha mesazh për Kosovën!
Kjo është mosha ideale për t’u martuar