Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova ka shënuar përparim të vazhdueshëm në zbatimin e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, ndërkohë që, sipas saj, Bashkimi Evropian nuk ka reflektuar të njëjtin ritëm kur bëhet fjalë për procesin e anëtarësimit të Kosovës.
Duke folur për media para fillimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Osmani theksoi se ndonëse rruga drejt anëtarësimit është e ndërlikuar, ajo mbetet e realizueshme.
“Jemi sërish këtu si partner të përkushtuar të BE-së, si shtet që jemi me linjëzim 100% me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si shtet që vazhdimisht ka treguar progres dhe përkushtim të lartë për reforma, qofshin në sundimin e ligjit, ekonomi apo tjera. Fatkeqësisht nuk i kemi parë që këto reforma janë përkthyer edhe në progres shumë të prekshëm sa i përket integrimit evropian të Kosovës meqë procesi është shumë kompleks… Por nëse e sheh çfarë ka bërë BE-ja në kthim, nuk shohim shumë sepse aplikimi ynë është duke qëndruar ende në sirtarët e BE-së. E di që është proces kompleks por nuk është i pamundur”, deklaroi Osmani.
Presidentja foli gjithashtu për masat e vendosura ndaj Kosovës, duke thënë se nga takimet e zhvilluara gjatë ditës së mërkurë në Bruksel ka vërejtur sinjale inkurajuese për heqjen e tyre të plotë.
“Do të punojmë me partnerët tanë që shumë shpejt që të merret vendimi për heqjen e plotë. Kemi elemente pozitive në diskutimet që kisha sot gjatë ditës dhe shpresoj që të kemi heqjen e plotë të masave”, u shpreh ajo.
E pyetur për mungesën e përfaqësuesve të Serbisë në këtë samit, Osmani tha se një gjë e tillë nuk i ka rënë në sy.
“Nuk e pasna vërejtur mungesën e tyre, e vetmja gjë që ka sjellë Serbia në këtë samit ka qenë prezenca e një shteti që mbron interesat e Rusisë. Nuk është që do të na mungojë në këtë samit sonte”, theksoi Osmani.



Të tjera
Produkti më i mirë ushqimor që lufton depresionin
Hamza në Prizren: Do ta krijojmë Gardën Kombëtare sipas standardeve të NATO-s
Haradinaj prezanton programin qeverisës: Rritje ekonomike e dyfishim pagash