Kandidati i VV-së, Sylejman Meholli, dorëzon padi për shpifje ndaj Ferit Idrizit

Kandidati i VV-së, Sylejman Meholli, dorëzon padi për shpifje ndaj Ferit Idrizit

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Sylejman Meholli, ka dorëzuar padi për shpifje ndaj kryetarit aktual të kësaj komune, Ferit Idrizi.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Meholli ka bërë të ditur se padinë e ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës – Dega në Vushtrri.

“Të dashur qytetarë të Komunës së Vushtrrisë, Sot, në ora 14:00, kam dorëzuar padi për shpifje kundër Ferit Idrizit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri. Po ashtu, ju njoftoj se pretendimet e Ferit Idrizit se gjoja është kërcënuar janë hedhur poshtë si të pabazuara dhe të pavërteta. Shpifjet, trillimet dhe viktimizimi nuk kalojnë! Çdo shpifje do të marrë përgjigjen e merituar ligjore. Herët apo vonë, e vërteta dhe drejtësia do të dalin në pah dhe do të triumfojnë,” ka deklaruar Meholli.

Ky zhvillim vjen një ditë pas përplasjes mes Mehollit dhe Idrizit në një debat televiziv, ku tensionet mes dy kandidatëve u ngritën dukshëm.