Kandidatura e Hotit për kryetar të LDK-së/ Pantina: Pozitive që ka interesim, shpresoj të ketë dhe kandidatura tjera

Kandidatura e Hotit për kryetar të LDK-së/ Pantina: Pozitive që ka interesim, shpresoj të ketë dhe kandidatura tjera

Më 31 janar Lidhja Demokratike e Kosovës do ta mbajë Kuvendin e partisë, ku kryetari Lumir Abdixhiku do ta paraqes dorëheqjen e tij.

Pas mbledhjes së kryesisë së partisë, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Abdixhiku tha se do ta paraqesë dorëheqjen e tij para Kuvendit, teksa ditë më pas nënkryetarja e partisë, Hykmete Bajrami, dha dorëheqje.

Ndërsa sot, Avdullah Hoti, deputet i zgjedhur, njëherësh anëtar i kryesisë së LDK-së, ka shpallur kandidaturën për kryetar të partisë.

“Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky është momenti për bashkim. Për maturi. Për guxim politik. Për një fillim të ri që ndërtohet mbi parime, besim dhe vizion”, shkroi Hoti ndër të tjera në profilin e tij në Facebook.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic është deklaruar Shqipe Pantina, e cila ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nga LDK.

Ajo tha se Kuvendi i së shtunës nuk është zgjedhor, megjithatë, ajo e konsideron pozitive interesimin e Hotit për kryetar të partisë, teksa shton se uron që të ketë edhe kandidatura tjera.

“Po sot në media pashë se Avdullah Hoti ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së. Megjithatë, me sa di unë, Kuvendi i së shtunës nuk është zgjedhor. Në atë Kuvend fillimisht do të diskutohet dhe aprovohet dorëheqja e Abdixhikut, e më pas do të hapet gara për kryetar të ri. Sidoqoftë, është pozitive që ka interesim brenda LDK-së për të synuar kreun e partisë. Uroj të ketë edhe kandidatura të tjera dhe që e gjithë gara të zhvillohet në një frymë respekti, ku kandidatët të prezantojnë platformat e tyre për mënyrën se si do ta kthejnë LDK-në në parti fituese”, tha Pantina.

Mbetet të shihet se çka do të ndodhë në Kuvendin e 31 janarit, nëse do të ketë kandidatura tjera për kryetar të LDK-së./Gazeta Blic/

Avdullah Hoti shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së