Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka komentuar deklaratën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili të dielën tha se vendimi për t’i dhënë Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë ishte marrë “për hatër të tij”.
Kryeministri Kurti ka thënë se për këtë ka sqaruar ministri, si dhe ka folur edhe zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka.
“Ka folur tashmë zëdhënësi im Arlindi dhe po ashtu e ka sqaruar edhe ministri”, është përgjigjur shkurt Kurti për këtë çështje.
Ndërkohë, ministri Rashiq sqaroi se deklarata e tij nuk ishte plotësisht e saktë. Në një reagim pas intervistës së dhënë për “Radio Gorazhdevcin”, ai tha se kishte ngatërruar kontekstin e një fjalie që ia kishte thënë Kurti.
Sipas Rashiqit, fjalia e kryeministrit “këtë e kemi bërë për ty” lidhej me një bisedë tjetër, që kishte ndodhur më herët gjatë miratimit të vizitës së patriarkut serb.
Edhe zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, reagoi duke theksuar se zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit ishte bërë vetëm në funksion të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në reagimin e tij, Manxhuka tha se ajo që kishte “ngatërruar” ministri Rashiq kishte të bënte me pranimin e kërkesës së tij për vizitën e patriarkut Porfirije në Kosovë për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023.
Sipas tij, kjo çështje nuk ka lidhje me vendimin për zbatimin e aktgjykimit për tokën e Manastirit të Deçanit.



Të tjera
Haxhi Avdyli jep dorëheqje nga Guxo
Pijeni një gotë ujë të ngrohtë në mëngjes, mësoni përfitimet
LVV dorëzon në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit