Kane, objektiv kryesor i Barcelonës

Kane, objektiv kryesor i Barcelonës

Sulmuesi i Bayern Munichut, Harry Kane, po shfaqet gjithnjë e më shumë si objektiv kryesor për të forcuar repartin ofensiv të Barcelonës në sezonin e ardhshëm.

Drejtuesit katalanas tashmë e kanë vendosur sulmuesin anglez në planin e parë, duke e konsideruar një opsion më realist krahasuar me Julian Alvarez, transferimi i të cilit mbetet më i komplikuar për shkak të kostos së lartë financiare dhe kërkesave të Atletico Madridit.

Kane po kalon një formë mbresëlënëse në Bundesligë, me 23 gola dhe 3 asistime në të gjitha garat deri tani, duke e bërë një nga sulmuesit më të vlerësuar në Evropë.

Kjo paraqitje e jashtëzakonshme ka tërhequr interesimin e Barcelonës, e cila është në kërkim të një zëvendësuesi të besueshëm për Robert Lewandowskin.

32-vjeçar ka një klauzolë lirimi prej 65 milionë eurosh, e vlefshme deri në vitin 2027 – një shumë që bie brenda mundësive financiare të klubit katalanas, veçanërisht nëse ndodh largimi i Lewandowskit në verë, duke liruar një pjesë të ndjeshme të buxhetit të pagave.

Në kampin blaugrana besojnë se përvoja e Kane, aftësia e tij për t’u përshtatur shpejt dhe efikasiteti para portës, do ta ndihmonin të shkëlqejë në La Liga dhe të marrë rolin e liderit në ofensivë.

Barcelona pritet të intensifikojë kontaktet në javët e ardhshme, ndërsa kërkon të ndërtojë një projekt konkurrues për sezonin e ri.