Tash e një muaj, Komuna u është ri-kthyer punimeve në rrugën “Xhorxh Bush”, për të rregulluar infrastrukturën teknike nëntokësore. Kjo pasi, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, miratoi së fundmi projektin për këtë fazë të punimeve. Sidoqoftë, punimet në shesh po zhvillohen sërish duke mos përfillur Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në punë, përderisa zyrtarë komunal heshtin.
Komuna e Prishtinës ka më shumë se një muaj që ka ri-nisur punimet për një pjesë të projektit, atë për infrastrukturën teknike nëntokësore. Miratimin, për këto punime e ka marr së fundmi nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, ani pse punimet kanë nisur shumë më herët.
Ushtruesja e detyrës e këtij institucioni, Rrezarta Loxha Vitaku, shpjegon se javën e kaluar, gjatë shqyrtimit të projektit, është përfshirë edhe struktura, arkitekturore e dyqaneve, të cilat fillimisht ishin refuzuar si të pa-përshtatshme.
“Qëllimi ynë fillestar ka qenë që të kërkojmë vetëm infrastrukturën bazë për sheshin, si kanalizimi, rrjeti elektrik, telefoni dhe ngrohja, në mënyrë që sheshi të bëhet funksional dhe të shtrohet sipas plani“, ka thënë Loxha Vitaku për Radio Kosovën.
Ajo ka shtuar se nuk është kërkuar që infrastruktura të përshtatet për ndërtime të reja, pasi janë refuzuar ndërhyrja në struktura (si ndërtesat e mëdha pranë RTK- së dhe bibliotekës).
Pavarësisht, se projekti nuk është anuluar, ai është shoqëruar me shumë probleme dhe vonesa, punimet janë ndaluar për muaj të tërë, derisa arsyeja kryesore që çështja shkoi edhe në gjykatë ishte përplasja në mes të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës. Kjo e fundit, pretendonte që projekti rrezikonte zonën e mbrojtur.
Sidoqoftë, punimet kanë nisur duke regjistruar shkelje tjera ligjore, si Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Ligji parasheh rregulla që obligojnë se derisa të kryhen punimet vetëm personat e autorizuar lejohen të hyjnë në zonat e rrezikshme. Po ashtu, zonat ku kryhen punime të rrezikshme si ndërtim, punime elektrike, lëvizje makinerish të rënda duhet të jenë të ndara me barrierë fizike për të parandaluar hyrjen e paautorizuar.
Drejtori për Transformim në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati nuk i është përgjigjur kërkesës së Radio Kosovës për koment rreth kësaj çështje.
Njëri nga pronarët e një biznesi pranë katedrales “Nënë Tereza”, me profesion arkitekt, Florim Kajtazi, thotë se kjo formë e punimeve është e rrezikshme për kalimtarët.
“Organizimi i punës është shumë i dobët, nuk ka orientim për njerëzit , kjo thuajse është arteria kryesore që e lidh qytetin me lagjen “Sante” dhe kjo më së shumti po më zhgënjen, siç po e shihni vetë ju, s’po munden me i ndalu njerëzit sepse s’kanë zgjidhje”, thotë ai.
Sipas tij në këtë pjesë ku janë makineritë e rënda nuk do të duhej të lejohej kalimi i njerëzve. “Në vendpunishte nuk guxon askush të hyjë dhe as të kalojë, këtu frikësohem se mund të ndodh ndonjë tragjedi dhe të ndërpritet e gjithë puna”, shton ai.
Në anën tjetër, zhvillimi i punimeve në këtë formë, ka ndikuar te bizneset përgjatë asaj rruge. Pronari i një dyqani që shet telefona-mobil, tregon për rënie të shitjes pasi aty pranë ka ndërtime.
“Rreth 70 për qind ka ra puna, tash veç po kemi shpenzime. Veç kur janë ardhur me bagera i kanë heq (kockat në trotuare), bile u kanë edhe rrezik sepse kalimtarët ose duhet mi hek krejt ose me ba diçka se këtej hyjshin kalimtarët nën bager për me dal anej. Është edhe rrezik se mundet mi kushtu dikuj me jetë”, thotë ai.
Një shitës tjetër i cili shet produkte ushqimore, shpjegon se rruga pranë dyqanit të tij është tash e 6 muaj në gjendje të mjerueshme, madje pa trotuar.
“Së paku ka qenë mirë me lan pak hapësirë për trotuar, nuk kanë njerëzit kah me ec dhe as furnizim të mallit, nuk po mundemi me ba”.
Tenderin për ndërtimin e sheshit, “Xhorxh Bush” në vlerë prej 18 milionë eurove e kanë fituar kompanitë nga Kosova “Hidroterm” dhe “Gjini Construcion” dhe “Salillari” nga Shqipëria.



Të tjera
Nis protesta e studentëve në Shkup, kërkohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në shqip
Po bëjmë përpjekje të gjejmë zgjidhje
Katër rregullat bazë për të përmirësuar gjumin