Kardinali Matteo Zuppi, president i Konferencës së Peshkopëve Italianë, drejtoi një vigjilje lutjeje shtatë-orëshe në Marzabotto të enjten, më 14 gusht, duke lexuar me zë të lartë emrat e çdo fëmije të vrarë në agresionin izraelit në Gaza që nga fillimi i luftës në vitin 2023.
“Ne i shqiptojmë emrat e tyre një nga një. Ata na ftojnë të gjithëve të angazhohemi më me përkushtim dhe me më shumë mençuri dhe pasion për të kërkuar dhe vazhduar rrugën e paqes”, tha Zuppi në fillim të vigjiljes, të mbajtur në prag të festës së Ngjitjes së Zojës.
Vigjilja u mbajt në parkun e Monte Sole në Marzabotto, jo shumë larg dioqezës së Zuppi-t në Bolonja. Vendi mbart një simbolikë të fortë – në rrënojat e kishës Casaglia, e cila u shkatërrua nga nazistët në vitin 1944, duke vrarë pothuajse 800 njerëz, përfshirë fëmijë.
Gjatë vigjiljes, Zuppi dhe dhjetëra anëtarë të dioqezës lexuan emrat e 12,211 fëmijëve palestinezë që vdiqën në Gaza deri më 25 korrik 2025. Dokumenti ishte i gjatë 469 faqe dhe u deshën afërsisht shtatë orë për t’u lexuar.
“Ky është një akt përkujtimi, një thirrje për vëmendje, nga ky vend që ka qenë gjithmonë një vend vuajtjesh dhe përkujtimi të të gjitha viktimave”, tha kardinali.
Nisma u organizua nga Familja e Vogël e Shpalljes, një komunitet manastiror që çmon kujtimin e masakrës naziste, si dhe Shkolla e Paqes Monte Sole, një institucion i dedikuar për promovimin e paqes dhe tolerancës.
“Është një lutje e vazhdueshme që lufta të mbarojë, që armët të heshtin, që njerëzimi të triumfojë”, shtoi Zuppi.
Zuppi, i cili shërben gjithashtu si i dërguari i paqes i Papa Françeskut në Ukrainë, më parë ka ndërmjetësuar shkëmbime pengjesh dhe ka ndihmuar në ribashkimin e fëmijëve ukrainas me familjet e tyre. Ai u konsiderua gjithashtu një kandidat i mundshëm për papat gjatë konklavës që zgjodhi Papën Leo XIV.
Udhëheqësit katolikë kanë folur gjithnjë e më shumë kundër agresionit në Gaza, ndërsa numri i të vdekurve rritet dhe kriza humanitare përkeqësohet. Kështu, më 4 gusht, Unioni Ndërkombëtar i Eprorëve Fetarë Superiorë, i cili mbledh eproret e bashkësive fetare femërore, bëri thirrje për një ditë agjërimi dhe lutjeje, duke kërkuar “drejtësi dhe pajtim”.
At Gabriel Romanelli, pastor i famullisë së vetme katolike në Gaza, e përshkroi kështu krizën aktuale:
“Situata është ende shumë serioze: bombardime ka kudo, ka të vdekur dhe të plagosur, shkatërrime. Rreziku ndaj të cilit është e ekspozuar e gjithë popullsia shkakton frikë të madhe midis civilëve.”
Famullia e Familjes së Shenjtë në Gaza u bombardua për herë të fundit më 13 korrik, duke vrarë tre gra që kërkuan strehim atje. /tesheshi
Të tjera
LVV në Artanë distancohet nga kandidati për asamblist që u arr*estua
Kosova qëndron fuqishëm përkrah jush
Shefi i OBSH-së kërkon mbrojtje për shëndetin dhe punonjësit e ndihmës në Gaza pas lirimit të një punonjësi nga Iz*raeli