Hajrulla Çeku: Kartela dhe Ndërmarrja e Lagjes, modeli i ri i qeverisjes me qytetarin

Kartela dhe Ndërmarrja e Lagjes, modeli i ri i qeverisjes me qytetarin

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka prezantuar dy prej zotimeve më të rëndësishme të programit të tij: Kartela e Lagjes dhe Ndërmarrja e Lagjes, mekanizma që e bëjnë qytetarin pjesë të drejtpërdrejtë të identifikimit, planifikimit dhe zgjidhjes së problemeve të lagjës ku jeton.

Kartela e Lagjes do të jetë një dokument i përbashkët i banorëve, ku regjistrohen të gjitha nevojat përmes 20 indikatorëve të shërbimeve bazike, nga ndriçimi publik e ujësjellësi, deri te gjelbërimi, parkingjet dhe siguria.

Ndërmarrja e Lagjes do të shërbejë si pika e parë ku qytetarët mund të bëjnë aplikime, ankesa si dhe kërkesat e tyre për lagjen.

E njëjta qasje do të zbatohet edhe për fshatrat, duke e bërë shërbimin komunal më të afërt, më të shpejtë dhe më efikas.

“Kartela është zëri i qytetarit, Ndërmarrja është dora që i zgjidh problemet. Ky është partneriteti i ri që do ta kthejë lagjen në qendër të qeverisjes komunale,” tha Çeku.

Sipas tij, vetëm kështu Prishtina bëhet një qytet që funksionon, aty ku banori jo vetëm jeton, por edhe vendos për lagjen e vet.