Katër vjet bllokim marrin fund, Haskuka i VV-së premton vënien në funksion të zonës ekonomike në Prizren

Katër vjet bllokim marrin fund, Haskuka i VV-së premton vënien në funksion të zonës ekonomike në Prizren

Kandidati për deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE, Mytaher Haskuka (numri 50), ka deklaruar se në Prizren ndodhet zona më e madhe ekonomike në Kosovë, me mbi 80 hektarë sipërfaqe, e cila është përfunduar që në vitin 2021 pas investimeve mbi 1.5 milionë euro gjatë qeverisjes së tij si kryetar i Komunës.

Haskuka theksoi se zona është e gatshme për funksionim dhe posedon të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e veprimtarive prodhuese, por që për katër vite me radhë është mbajtur e bllokuar nga pushteti lokal i udhëhequr nga PDK-ja.

“Pavarësisht përgatitjes së plotë teknike dhe infrastrukturore, kjo zonë nuk është shpallur zyrtarisht ‘zonë ekonomike’, për shkak të mungesës së vullnetit politik për të punuar në interes të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të Prizrenit”, ka deklaruar Haskuka.

Ai ka bërë të ditur se me marrjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Kosovës do të angazhohet drejtpërdrejt për funksionalizimin sa më të shpejtë të kësaj zone, duke theksuar se fondet për këtë qëllim tashmë janë ndarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Funksionalizimi i kësaj zone do të krijojë kushte reale për investime të reja, hapje të vendeve të punës dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për Prizrenin dhe më gjerë”, u shpreh ai.

Lëvizja VETËVENDOSJE garon në zgjedhje me numrin 116, Albin Kurti me numrin 1, ndërsa Mytaher Haskuka mban numrin 50 në listën për deputetë.