Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës dhe deputetët e legjislaturës së dhjetë për përmbylljen e seancës konstituive dhe zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe pesë nënkryetarëve.
Në reagimin e publikuar, KDI vlerëson se funksionalizimi i plotë i institucionit më të lartë përfaqësues përbën një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit demokratik dhe rikthimit të normalitetit institucional, pas një periudhe të zgjatur të krizës.
“Kuvendi mbetet shtylla qendrore e përfaqësimit qytetar, ligjvënies dhe mbikëqyrjes demokratike. Në këtë legjislaturë të re, presim që të forcohet roli kushtetues i Kuvendit, të rritet cilësia e procesit legjislativ dhe të sigurohet transparencë më e madhe në vendimmarrje”, thuhet në reagim.
KDI ka theksuar veçanërisht rëndësinë e rikthimit dhe fuqizimit të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit, përfshirjen reale të qytetarëve dhe shoqërisë civile në procesin legjislativ, si dhe trajtimin me prioritet të reformave dhe çështjeve që kanë mbetur pezull gjatë periudhës së krizës institucionale.
Sipas KDI-së, rikthimi i besimit qytetar në institucionet përfaqësuese kërkon përgjegjësi, integritet dhe dialog politik, ndërsa organizata ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë dhe të kontribuojë në forcimin e standardeve demokratike dhe funksionimit parlamentar në vend.



Të tjera
Austria: Bllokadat politike në Kosovë po ngadalësojnë integrimin në BE
Artmotion në kulmin e sezonit – dy shtëpi, nominimet e fundit dhe finalja e madhe
“Do t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare”, thotë Albulena Haxhiu