Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ndodhet në një moment historik transformimi, me investime që tejkalojnë vlerën e 500 milionë eurove, me synim modernizimin, qëndrueshmërinë dhe përafrimin e plotë me standardet e Bashkimit Evropian, transmeton KosovaPost.
Sipas Kurtit, projektet përfshijnë modernizimin e turbinave dhe investime të tjera në njësitë B1 dhe B2, rehabilitimin e thellë të njësisë A3, investime madhore në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, si dhe hyrjen për herë të parë të KEK-ut në sektorin e energjisë së ripërtrishme përmes ndërtimit të një parku solar.
Ai theksoi se këto investime janë kyçe për sigurinë energjetike të vendit, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin afatgjatë. Me përfundimin e projekteve, Kosovës pritet t’i shtohen rreth 150 megavat kapacitete shtesë në termocentralet ekzistuese dhe 100 megavat kapacitete të reja gjeneruese nga burimet e ripërtrishme.
Kryeministri bëri të ditur se që nga 19 dhjetori i vitit të kaluar, KEK-u po operon me kapacitet maksimal, me pesë njësi gjeneruese aktive, për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike gjatë ditëve të ftohta të fundvitit dhe fillimvitit, kur konsumi është i lartë.
Në fund, Kurti falënderoi punonjësit dhe menaxhmentin e KEK-ut për profesionalizmin, si dhe Bordin e Drejtorëve dhe Ministrinë e Ekonomisë për mbikëqyrjen dhe përkrahjen në realizimin e këtyre projekteve.
“KEK-u sot po forcon themelet e energjisë së së ardhmes – një KEK më i fortë, më modern, më i sigurt dhe më i gjelbër, në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe brezave që vijnë”, ka përfunduar Kryeministri Kurti.



Të tjera
Osmani shpreh ngushëllime për vi*ktimat në Zvicër
Gjëra që i dini gabim për lidhjet në distancë
Në 11 komuna rifillon numërimi i votave për deputetë, KQZ jep detaje