Avokati serb, Ivan Niniq, ka deklaruar se fushata e kërcënimeve dhe targetimeve ndaj tij ka nisur rreth një muaj më parë, pasi në një tubim publik përmendi emrin e Milan Radoiçiqit dhe kërkoi përgjegjësi për ngjarjet e Banjskës.
Ai theksoi se që nga ajo ditë është shpallur “agjent shqiptar” nga mediat e afërta me regjimin e Vuçiqit dhe faqe të rreme në internet, si pjesë e një fushate propagandistike për ta diskredituar.
“Targetimi im dhe kërcënimet nisën pikërisht kur e përmenda emrin e Radoiçiqit. Narrativi i tyre është se unë jam zëdhënës i Albin Kurtit, vetëm pse kërkoj përgjegjësi për atë që ndodhi në Banjskë”, u shpreh Niniq, raporton e përditshmja beogradase “Danas”.
Ai ka deklaruar se do t’i kërkojë Ministrisë së Brendshme të Serbisë një vlerësim të sigurisë së tij, por jo mbrojtje policore, pasi, sipas tij, e njëjta polici ka rrahur studentë dhe ka mbrojtur “Jovanjicën”, të cilën e cilëson si plantazhin më të madhe të marihuanës në Evropë.
“Ky sistem është kriminalizuar dhe polarizuar thellë. Vuçiq qeveris vetëm përmes propagandës dhe represionit. Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme në të gjitha nivelet”, u shpreh Niniq.
Të tjera
Ardon Jashari do të qëndrojë gjatë jashtë fushe
Një 5-vjeçare sulmohet nga ujku, përfundon në QKUK
95 për qind e serbëve të Kosovës nuk përfaqësohen nga Lista Serbe