Kërkesa për masë të përkohshme “mund të shtyjë formimin e Qeverisë ose zgjedhjet e reja”

Kërkesa e Listës Serbe për masë të përkohshme, në kuadër të ankesës në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiq nënkryetar i Kuvendit, mund të bëhet shkak për shtyrjen e formimit të Qeverisë së re ose zgjedhjeve të reja eventuale.

Ankesa e re e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese, krahas kërkesës për masë të përkohshme, eventualisht mund të zvarrisë disa procese – nga formimi i Qeverisë e deri te zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Duke e vlerësuar të mundshëm caktimin e masës së përkohshme për të mos lejuar krijimin e rrethanave të reja para vendimmarrjes finale, hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, pret njoftim të shpejtë nga Gjykata.

“Zakonisht Gjykata në këto raste vendos ex-officio, madje edhe sipas kërkesës së palëve, por edhe në mënyrë zyrtare vendos që të japë masë të përkohshme për të pezulluar efektet, që të themi, veprimet juridike të deputetëve dhe të Kuvendit në tërësi. Unë besoj që këto ditë, ose javën e ardhshme mund të kemi një njoftim nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Vullnet Bugaqku, Hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës – KDI.

Referuar situatës aktuale politike opinionisti Bekim Kabashi vlerësoi se, nëse Gjykata vendosë masë të përkohshme, mund të shtyhen zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe të krijohen rrethana të reja për shkak të pozitës së presidentes.

“Parashikimet janë që nëse nuk mbërrin me u formu qeveria, nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk mbërrin me e bë një koalicion qeverisës, as opozita nuk do t’i ketë mundësitë që ta bëj atë. Atëherë pritet që nga mesi i dhjetorit të kemi zgjedhje. Nëse eventualisht ndërmerret një masë e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese, atëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë Bekim Kabashi, Opinionist/Drejtor në gazetën online “Reporteri”.

Në një përgjigje për televizionin, Gjykata Kushtetuese vetëm konfirmoi se e ka marrë kërkesën dhe se do ta shqyrtojë në përputhje me legjislacionin në fuqi.