Kërkohet paraburgim ndaj 5 të pandehurve për bixhoz

Kërkohet paraburgim ndaj 5 të pandehurve për bixhoz

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj 5 të pandehurve për veprën [penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, transmeton KosovaPost.

Prokuroria thotë se të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, organizojnë dhe marrin pjesë në organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligji.

“Nga koha e pa përcaktuar e deri më datë 12.03.2026, rreth orës 21:00 në Malishevë, saktësisht në lokalin e afarist “D…” i pandehuri E.B., në cilësinë e pronarit të lojërave, duke vepruar në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B., N.H., J.M., dhe Z.P., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, organizojnë dhe marrin pjesë në organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me Ligjin Nr.06/L-155 për ndalimin e lojërave të fatit, në atë mënyrë që të njëjtit në mënyrë të kundërligjshme dhe të fshehtë në lokalin afarist e përdorin për lojëra të fatit”, thuhet në njoftimine Prokurorisë në Gjakovë.

Tutje, kanë treguar se pas urdhrit për kontrollimin e lokalit nga zyrtarët policorë, të pandehurit kanë tentuar të arratisen duke kërcyer nga një dritare e objektit, por janë ndaluar nga policia.

Prokuroria ka treguar se cka ëhstë gjetur gjatë kontrollit.

“Janë gjetur pesë aparate të lojërave të fatit në funksion, ku në aparatin nr. 3 (Kajot) janë gjetur 20 €, në aparatin nr. 4 (Apex) 150 €, dhe në aparatin nr. 5 (Kajot) 70 €. Po ashtu, në çantën e pronarit E.B., janë gjetur 2,000 €, të gjitha të sekuestruar nga ana e zyrtarëve policor”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, sipas prokurorisë në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Të pandehurit që nga data 12 mars, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.