Kërkohet paraburgim për kanosje në rastin “Brezovica”

Kërkohet paraburgim për kanosje në rastin “Brezovica”

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit R.K. nga komuna e Skenderajt, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 

Sipas njoftimit, ekziston dyshimi i bazuar se më 21 mars 2026, në restorantin “Mero” në fshatin Uglar, komuna e Fushë Kosovës, i pandehuri ka kanosur seriozisht të dëmtuarin A.Q., i cili është dëshmitar bashkëpunues në çështjen penale të njohur si “Brezovica”.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë një dasme familjare, ku i dëmtuari ishte i pranishëm. Sipas Prokurorisë, i pandehuri, i cili nuk ishte mysafir në dasmë, e ka ndjekur atë në tualet dhe e ka kërcënuar me fjalët  “vetëm qenke me fëmijë se pa të vra në këtë vend nuk e  kisha lan” gjë që  kanë shkaktuar frikë dhe ankth tek viktima.

I dëmtuari është dëshmitar bashkëpunues në rastin “Brezovica”, ku ka dhënë dëshmi kundër disa të pandehurve, përfshirë edhe R.K., në lidhje me dyshimet për veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

Po ashtu, Prokuroria njofton se i dyshuari në të njëjtën kohë dhe vend dyshohet se ka poseduar armë pa leje, në kundërshtim me Ligjin për armët.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri ndodhet aktualisht nën masën e ndalimit 48-orësh, ndërsa pritet vendimi i gjykatës lidhur me kërkesën për paraburgim.