Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO) ka kërkuar bashkëpunimin e konsumatorëve për përdorim më racional të energjisë elektrike, pas njoftimeve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) se sistemi elektroenergjetik po përballet me ngarkesa të rritura.
Sipas KOSTT-it, ngarkesat më të mëdha në sistem regjistrohen gjatë orëve të pikut, përkatësisht nga ora 09:00 deri në 12:00, nga 16:00 deri në 20:00 dhe nga 22:00 deri në 23:00. Këto ngarkesa janë rezultat i rritjes së konsumit të energjisë, veçanërisht gjatë sezonit të ngrohjes.
KESCO thekson se bashkëpunimi i konsumatorëve është i domosdoshëm për ruajtjen e stabilitetit të furnizimit me energji elektrike, duke vënë në pah se masa të vogla individuale mund të kenë ndikim të madh në funksionimin e përgjithshëm të sistemit elektroenergjetik.
Kompania nënvizon se përdorimi më i kujdesshëm i energjisë nuk ndihmon vetëm në stabilitetin e rrjetit, por ndikon drejtpërdrejt edhe në uljen e shpenzimeve familjare, duke rezultuar në fatura më të ulëta për konsumatorët.
Në këtë kuadër, KESCO u bën thirrje qytetarëve që, sidomos gjatë orëve të pikut, të shmangin përdorimin e njëkohshëm të pajisjeve me konsum të lartë, të planifikojnë punët shtëpiake jashtë këtyre orareve, të mbajnë ngrohjen në nivele të moderuara dhe të fikin pajisjet e panevojshme apo ato në gjendje gatishmërie (standby).
KESCO falënderon konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se menaxhimi i kujdesshëm i konsumit ndihmon në parandalimin e ngarkesave shtesë dhe në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për të gjithë.



Të tjera
Nga 1 prilli 2026 bizneset që kanë plotësuar kriteret kalojnë në treg të hapur
Hadërgjonaj optimist para lojës me Sllovakinë dhe për kualifikim në Botëror
Muja paralajmëron reforma në sigurinë ushqimore sipas standardeve evropiane