Këto janë çmimet e derivateve në Kosovë

Këto janë çmimet e derivateve në Kosovë

Çmimet e derivateve në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme ditëve të fundit. Përfaqësuesit e naftëtarëve të Kosovës thonë se situata e tensionuar në rajonin e Lindjes së Mesme dhe ngushtica e Hormuzit ndikojnë në tregjet globale, duke reflektuar edhe në çmimet lokale.

 

Çmimet e derivateve në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme ditëve të fundit. Çmimet që sot sillen përafërsisht në Kosovë janë: dizeli prej 1.40 euro deri në 1.60 euro, kurse benzina prej 1.27 euro deri në 1.39 euro, bëri të ditur për RTKlive Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Kosovës.

Berjani ka thënë se dje çmimi i furnizimit me shumicë ka qenë 1.53 euro.

Ai shtoi se çmimet e derivateve kanë qenë të qëndrueshme për tre muaj dhe nuk ka pasur lëvizje në bursë.

“Lufta në Iran, rritja e tensioneve dhe rreziku i ndërprerjes së prodhimit, si dhe ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë, mund të ndikojnë në tregjet globale. Çdo problem në këtë korridor reflektohet edhe te ne në Kosovë. Ku më parë kalonin qindra anije në ditë, tani nuk kalojnë më shumë se 4–5 në ditë dhe ato me rrezikshmëri të madhe”, theksoi Berjani.

Ai gjithashtu theksoi se qytetarët nuk kanë nevojë për panik, pasi derivate ka mjaftueshëm në Kosovë, dhe shpresohet se do të arrihet një marrëveshje paqeje që do të stabilizojë tregun e naftës në të gjithë botën. Sipas tij, qytetarët e Kosovës po furnizohen me çmime më të lira në rajon.

“Stabilizimi i tregut të naftës bëhet vetëm kur ndalet lufta. Ai gjithashtu varet nga vendimet ndërkombëtare, përfshirë rolin e presidentit Donald Trump”, theksoi Berjani.

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit bëhet e ditur se institucionet po monitorojnë tregun e derivateve për të parandaluar çdo praktikë të padrejtë tregtare dhe për të mbrojtur konsumatorët. Sipas tyre, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të ndërmarrë masa ndëshkuese në rast se konstatohet shkelje e ligjit.

Ndërkohë raportohet se çmimi i naftës ka shënuar rënie pasi presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi Iranin që të mos ndërhyjë në një nga rrugët më të rëndësishme të furnizimit global me energji.

Trump deklaroi se çdo përpjekje e Iranit për të penguar qarkullimin e naftës në Ngushtica e Hormuzit do të përballet me reagim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse Irani bën diçka që ndalon rrjedhën e naftës në Ngushticën e Hormuzit, ata do të goditen nga SHBA-ja 20 herë më fort se sa janë goditur deri tani”, ka theksuar ai.

Në tregjet aziatike, çmimi i naftës së papërpunuar ra me rreth 6.5 për qind, duke zbritur nga 92.46 dollarë në 88.15 dollarë për fuçi.

Një ditë më parë, çmimi kishte arritur pothuajse 120 dollarë për fuçi për shkak të frikës se lufta mund të zgjasë, por u ul pasi Trump la të kuptohej se konflikti mund të përfundojë shpejt.