Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Mitrovica dhe veriu i vendit janë toka shqiptare, duke theksuar se trashëgimia kulturore ilire në pjesët veriore është dëshmi e kësaj. Ajo i bëri këto deklarata të martën në Mitrovicë, gjatë një konference për media pas takimit me kryetarin e komunës, Faton Peci.
Osmani tha se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke theksuar rëndësinë politike dhe strategjike të Mitrovicës për shtetin.
“Jam e bindur se edhe nga aspekti politik, duke e ditur rëndësinë e kësaj pjese për shtetin tonë, do të bashkëpunojmë sa më shumë që të jetë e mundur, që ta ruajmë sovranitetin e integritetin e Kosovës. Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve dhe vetë trashëgimia kulturore ilire, që shihet kudo në pjesët veriore, sado të largëta brenda territorit tonë, është dëshmia më e madhe e kësaj”, tha Osmani.
Presidentja ka thënë se gjatë takimit kanë folur për nevojat, shqetësimet dhe perspektivën zhvillimore të qytetit, si dhe për rëndësinë e mbështetjes institucionale nga niveli qendror.
Ajo shprehu besimin se udhëheqja e re komunale do të sjellë më shumë zhvillim për qytetin.
“Jam besimplotë se do ia dilni ju dhe ekipi i juaj i jashtëzakonshëm që për qytetarët e Mitrovicës të sillni më shumë perspektivë, më shumë projekte, e më shumë shpresë”, tha Osmani.
Ajo theksoi se e njeh mirë realitetin e Mitrovicës, duke qenë se është rritur në këtë qytet dhe ka një njohje të gjatë me kryetarin Peci.
“Ne me Fatonin njihemi që një kohë të gjatë, kemi shkuar në shkollë bashkë, jemi rritur në Mitrovicë dhe i njohim problemet me të cilat ballafaqohet ky qytet. Kam besimin e plotë se ato gradualisht do të rregullohen edhe me angazhimin e kryetarit dhe ekipit të tij por edhe me përkrahjen tonë nga niveli qendror, sepse qytetarët e Mitrovicës meritojnë çdo të mirë dhe t’u hapet rruga e zhvillimit”, shtoi ajo.
Presidentja Osmani vlerësoi potencialin e jashtëzakonshëm të Mitrovicës, duke përmendur bukuritë natyrore, traditën, historinë dhe potencialin njerëzor në çdo fushë.
“Ky qytet ka potencial të jashtëzakonshëm, jo vetëm për shkak të bukurive natyrore që ia ka falë Zoti, por edhe për shkak të traditës që e ka dhe për shkak të potencialit që e kanë njerëzit e Mitrovicës në çdo fushë dhe për shkak të historisë që e ka. Tani gjeneratat e reja presin që të zhvillohen dhe të hapen vende të reja të punës”, tha Osmani.
Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, tha se vizita e presidentes përbën një sinjal të rëndësishëm për vëmendjen institucionale që po i kushtohet qytetit.
“Ne i uruam mirëseardhje presidentes në shtëpinë e saj. Diskutuam për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës, por edhe për nevojën më të madhe të mbështetjes institucionale që i duhet Mitrovicës, duke filluar nga zyra e presidencës dhe qeverisë, ku kohët e fundit ka pasur përmirësim të dukshëm”, u shpreh Peci.
Ai shtoi se, ndonëse ka pasur progres, nga niveli komunal ekziston ambicie më e madhe për adresimin e këtyre çështjeve. Sipas tij, Mitrovica për një kohë të gjatë është trajtuar vetëm si problem i vetë mitrovicasve, ndërsa tashmë është pozitive që qyteti ka vëmendjen dhe mbështetjen e presidentes, qeverisë dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Peci vlerësoi gjithashtu përfaqësimin që Mitrovica ka pasur në politikën e jashtme, duke theksuar se vendi “ka pasur presidenten më të mirë që nga pavarësia”.
Në fund e pyetur nga një medium lokal se pse nuk e kishte vizituar ish-kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, Osmani e quajti këtë pretendim të gazetarit si “fake news”.
“Ajo që sapo e the është ‘fake news’, është propagandë, është gënjeshtër, sepse jo një herë por disa herë e kam vizituar Bedri Hamzën në këtë zyrë sa ka qenë kryetar i Mitrovicës. Jo vetëm në këtë zyrë, por edhe në vizitë, në projekte të ndryshme, në shkolla, biznese, së bashku kemi vizituar OJQ të ndryshme. Edhe kryetari paraprak e ka pasur përkrahjen time të plotë, për aq sa është në kompetenca të presidentes”, tha Osmani.
Ndërkaq, në pyetjen nëse do të rikthehet në partinë “Guxo” pas përfundimit të mandatit presidencial, Osmani nuk dha përgjigje.



Të tjera
Anemia te fëmijët: Si ta identifikoni?
Kurti sot në Prizren, prezanton kandidatët për deputetë
Kompanitë para pak vitesh as nuk e dinin ku është Kosova në hartë, e tash ankohen vetëm për bileta të aeroplanit