Reagon MASHTI: Klasat 6-9 nuk kanë nevojë t’i blejnë librat, ato barten nga gjenerata e kaluar

Klasat 6-9 nuk kanë nevojë t’i blejnë librat, ato barten nga gjenerata e kaluar

Ministria e Arsimit, njofton se është duke u monitoruar nga afër procesi i subvencionimit me tekste dhe materiale shkollore për të gjithë nxënësit. MASHT sqaron opinionin publik se siç janë njoftuar qysh nga fundi i vitit të kaluar shkollor, bazuar në Udhëzimin Administrativ, nxënësit e klasave 6-9 nuk kanë nevojë të blejnë tekste shkollore, ngase ato bartën nga gjenerata e kaluar.

“Çdo detyrim i prindërve për të blerë tekste për nxënësit e këtyre klasave është i paligjshëm. Subvencioni prej 80 euro është paraparë vetëm për blerje të fletoreve dhe materialeve tjera shkollore, thuhet në njoftim. Sa u përket çmimeve të ndryshuara të teksteve shkollore në kopertinat e teksteve, ministria sqaron nuk ka pasur rol në përcaktimin e tyre, pasi nuk ka pasur proces tenderimi dhe rrjedhimisht as negocim të çmimeve. Këto shqetësime të raportuara, thuhet se tashmë janë adresuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut  dhe në Autoritetin e Konkurrencës. Çdo tendencë për manipulim apo përfitim të paligjshëm nga shtëpitë botuese do të trajtohet nga këto organe, duke u ndërmarrë masat e nevojshme në kuadër të legjislacionit në fuqi”, thotë MASHTI.

Më tej në njoftimin e MASHT-it thuhet se disa portale kanë interpretuar raportin e Auditorit të ZKA-së për vitin e kaluar si raport për procesin aktual, ku disa prindër kanë përfituar padrejtësisht edhe pse fëmijët e tyre nuk kanë qenë pjesë e sistemit arsimor.

“Theksojmë se këto raste të izoluara të vitit të kaluar tashmë janë adresuar dhe janë duke u trajtuar nga organet përkatëse. Këtë vit, MAShTI ka shtuar masat e verifikimit përmes moduleve shtesë ku koordinatorët e shkollave inspektojnë dhe verifikojnë secilin nxënës në shkollat përkatëse, duke garantuar që askush nuk do të përfitojë pa u verifikuar”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.