Më 9 nëntor do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe një ndër garat më të ngushta pritet të jetë ajo në Fushë Kosovë, ku përballë njëri-tjetrit do të jenë Valon Prebreza nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Besnik Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Megjithatë, në këtë komunë, LDK ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për raundin e dytë të zgjedhjeve.
Ky zhvillim vjen në kontrast të qartë me qëndrimin që LDK ka mbajtur në Vushtrri, ku drejtuesit e saj kanë refuzuar çdo mundësi bashkëpunimi me LVV-në, duke e quajtur “të papranueshme një marrëveshjen”. Në atë komunë, LDK ka zgjedhur të garojë së bashku me LVV në balotazh.
Ky qëndrim i dyfishtë brenda partisë ka ngjallur debat edhe në radhët e anëtarësisë, pasi ndërsa në Fushë Kosovë LDK e sheh të arsyeshme bashkëpunimin me PDK-në për “interesin e votuesit opozitar”, në Vushtrri ajo refuzoi një qasje të tillë, me Vetëvendosjen madje edhe kur synimi është po i njëjtë – ruajtja e pushtetit komunal nga Lëvizja Vetëvendosje.
Mehmeti: Ajo duket si një përpjekje për të izoluar Lëvizjen Vetëvendosje
Analisti politik, Faton Mehmeti, vlerëson se marrëveshja mes LDK-së dhe PDK-së në Fushë Kosovë synon izolimin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke reflektuar frikën e përbashkët të partive tradicionale nga rritja e ndikimit të VV-së në nivel lokal.
Ai kujton se ky bashkëpunim rikujton “koalicionin e vjetër” LDK–PDK që dikur dominoi politikën në Kosovë
“Marrëveshja mes LDK-së dhe PDK-së në Fushë Kosovë për raundin e dytë të zgjedhjeve mund të lexohet në disa plane. Së pari, ajo duket si një përpjekje për të izoluar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila në shumë komuna është parë si konkurrentja kryesore ndaj dy partive tradicionale. Ky bashkëpunim lokal mund të shihet si reflektim i një frike të përbashkët politike frika nga rritja e ndikimit të VV-së edhe në nivelin lokal. Nga ana tjetër, marrëveshja ngjall kujtime të “koalicionit të vjetër” LDK–PDK që për një periudhë të gjatë ka dominuar skenën politike në vend”, thotë ai.
Ai shton se ky veprim mund të shërbejë si test për aleanca të ardhshme në nivel qendror kundër VV-së, por paralajmëron se rrezikon t’u humbasë partive identitetin dhe të perceptohet si kthim në modelet e vjetra që kanë sjellë zhgënjim publik.
Maraj: Marrëveshja e LDK-së me PDK
Ai tha se brenda dhe jashtë partive politike ka debate, marrëveshje të fshehta dhe mungesë korrektësie, gjë që po ul besimin e opinionit dhe anëtarësisë.
Maraj përmendi reagimin e LDK-së për koalicionin me LVV në Vushtrri si një shembull të lojërave jo të përshtatshme që mund të dëmtojnë besueshmërinë e kryesisë.
“Po ofrohet data 9 nëntor për balotazhet në Komuna ku nuk arritur numrin e duhur për të përfunduar zgjedhjet në raundin e parë. Tani ka debate të ndryshme jashtë dhe brenda partive politike. Ka edhe ngritje e ulje të temperaturave. Ka edhe marrëveshje të fshehura që dalin sheshit në formën më të pa përshtatshme, që torturon opinionin dhe anëtarësinë. Krejt kjo behët për shkak të mungesës së korrektësisë brenda partive dhe në mes të partive politike të shqiptarëve të Kosovës. Rasti i reagimit të LDK për koalicionin të LDK më LVV në Vushtrri tregon një lojë hiq të përshtatshme më të cilën LDK nuk është e mësuar, për çka do të ndikojë në humbje të besimit në këtë kryesi edhe kështu me një besim mjaft të diskutueshëm”, thotë ai.
Tutje, Maraj vlerëson se koalicionet mes partive shqiptare shpesh bëhen për interesa grupore ose për të izoluar LVV, jo për zhvillim të përbashkët.
Ai paralajmëron se bashkëqeverisjet pa përafrim programor dhe pa strategji të qartë do të sjellin trazira, akuza të ndërsjella dhe do të jenë të pasuksesshme për qytetarët e Kosovës.
“Koalicionet janë të domosdoshme, shteti duhet të funksionoj, por a ka përafrime apo përshtatje të programeve partiake që duan të hyjnë në koalicion apo kanë divergjencat më të cilat kanë konkurruar në raundin e parë? A kanë ofruar apo përshtatur filozofinë politike të partisë nga se në këtë kënd kanë shumë divergjenca? A kanë ndonjë strategji zhvillimore të hartuar bashkë? Apo kjo është bërë vetëm sa për të plotësuar interesat grupore dhe individuale?.
Ose sa për ta izoluar LVV; që kjo do të ishte një shfryrje e inateve të krijuara nga fërkimet në mes të partive shqiptare që nuk është fare në interesin e qytetarëve të Kosovës dhe ardhmërisë së saj. LVV ka ngop qytetarët më iluzione dhe për këtë ka arrit këtë numër në zgjedhje.
Thyerjen e këtyre iluzioneve do ta marrë përsipër ky koalicion i ardhshëm nëse do të bëhet. Por pasojat e kësaj thyerje do të i bartin partitë që nuk pranuan bashkëqeverisje me LVV. Pranimi i bashkëqeverisjes së LDK me PDK në Fushë Kosovë nuk tregon shumë për ndonjë përafrim të këtyre partive as nuk do të ndikojë gjë në këtë përafrim. Por qëndrimi i këtyre partive ndaj koalicionit të LVV për këtë kohë kaq të gjatë flet, për një shkuarje drejt një bashkëqeverisje hiq parimore dhe pa ndonjë shpresë për ecje përpara.
Do të kemi përsëri kuvende me lotsjellës, trazira, të pa ndërprera, pengesa jo vetëm në qendër por edhe nëpër komuna, akuza e kundër akuza. Përsëri do të kemi pëshpëritje se kështu po thotë SHBA, kështu po thotë BE, këtë po na lejojnë e këtë jo. Çfarë do koalicioni që bëhet, qoftë për inate, qoftë interesa të ulëta, do të jetë i pasuksesshëm” – përfundon ai



Të tjera
10 shenja që partneri është shumë më kontrollues seç duhet!
Zhdukeni dhjamin me vetëm 2 përbërës
Bizelet e zvogëlojnë stresin