Zafir Berisha për herë të parë ka zbuluar publikisht arsyet që e çuan të lidhë një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, duke e cilësuar marrëveshjen mes PDK-së dhe LDK-së në Prizren si vendim përcaktues për veprimin e tij.
Në një intervistë për Indeksonline, Berisha tha se koalicioni lokal PDK–LDK në Prizren është “koalicion i pazareve” dhe një “marrëveshje biznesi”, që sipas tij nuk shërben për të ardhmen e qytetit. “Unë s’muj me u pajtu me koalicionet e secilës forcë politike. Koalicioni i PDK-së e LDK-së në Prizren është koalicion i pazareve, është marrëveshje biznesi dhe nuk është për të ardhmen e qytetit,” tha ai.
Berisha theksoi se aktet e atyre që “thirren në emër të LDK-së” në Prizren janë pjesë e një praktike të gjatë bashkëpunimi me PDK-në, të cilën ai e quan të dëmshme për qytetin. “Këta që thirren në emër të LDK-së në Prizren ka 12 vjet që bëjnë marrëveshje biznesi me PDK-në,” shtoi ai.
Si motiv personal për mbështetjen e kandidatit nga VV-ja, Berisha deklaroi se veprimi i tij vjen nga lidhjet personale dhe besnikëria ndaj miqësisë së vjetër: “Unë kam vendos me e mbështetë Artanin ngase është djali i mikut tim të vjetër. Kjo marrëveshje nuk është mbështetje për Albinin.”
Duke kundërshtuar idenë se ai kërkon të “mbrojë Kosovën” nga politikat e Kryeministrit Albin Kurti, Berisha tha se për këtë mision ai nuk është i përshtatshëm dhe e vlerëson se përkushtimi ndaj shtetit duhet t’u lihet të tjerëve: “Nëse dikush mendon që Zafa munet me e mbrojt Kosovën nga politikat e gabume të Kurtit e kanë gabim. Unë i kam 3-4 mijë vota mbi supe, ndërsa Kosovën duhet me e mbrojt Lumiri e Memli që janë bashkëfajtor të situatës aktuale.”
I pyetur për reagimet e Nismës Socialdemokrate pas koalicionit të tij me VV-në, Berisha u përgjigj shkurt: “Janë prralla që nuk bie në nivel të tyre ngase unë kam vendos më ba ndryshim. Më mirë një ndryshim i vogël me Abrashin se sa me ua lënë në dorë Prizrenin hajdutëve.”
Deklaratat e Berishës pritet të nxisin debat politik në Prizren, ku akuzat për marrëveshje të fshehta dhe interesash biznesi mes partive lokale janë temë e shpeshme e fushatave zgjedhore. Ne do të sjellim reagimet e palëve të përfshira sapo të vijnë.



Të tjera
Në Stamboll nis takimi për G@zën, i organizuar nga ministri Fidan
Liverpool pas talentit të River Plate
Presidentes i kalon mandati edhe pak muaj, bëni kujdes se lehtë mund t’ju kthejë në 12%