KQZ: Kompania CETIS pranon përgjegjësinë për gabim në disa fletëvotime

Kompania CETIS pranon përgjegjësinë për gabim në disa fletëvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka pranuar një sqarim zyrtar nga kompania CETIS, lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

 

Sipas njoftimit të KQZ-së, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave, pasi janë pranuar fotografi që tregonin gabimin. Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, ndërkohë që sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj defekti nuk është detektuar gjatë shtypjes.

CETIS ka deklaruar se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin apo kopjimin e tyre. Kompania ka shprehur keqardhje të thellë për incidentin dhe ka konfirmuar se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

KQZ ka bërë të ditur gjithashtu se për këtë rast është njoftuar Prokuroria e Shtetit.