Pozhari: Konstituimi i Kuvendit dhe mandatimi i Qeverisë – ndryshim modeli në 10 pika

Konstituimi i Kuvendit dhe mandatimi i Qeverisë – ndryshim modeli në 10 pika

Analisti dhe publicisti Xhevdet Pozhari ka publikuar një analizë të zgjeruar mbi procesin e konstituimit të Kuvendit dhe mandatimit të Qeverisë, duke e cilësuar atë si fillim të një modeli të ri qeverisës në Kosovë.

Në një shkrim me titull “Konstituimi i Kuvendit dhe Mandatimi i Qeverisë – në 10 pika”, Pozhari thekson se tashmë po vendosen standarde të reja në funksionimin politik dhe institucional të vendit, përcjell Kosova Post.

Pikat kryesore të analizës:

1. Ndarja e Kuvendit nga Qeveria:
LV ka ndarë qartazi procesin e konstituimit të Kuvendit nga ai i formimit të Qeverisë, për të garantuar funksionalitet institucional të pavarur nga pazaret për pushtet.

2. Përgjegjësi, jo bllokadë:
Pas konstituimit të Kuvendit, menjëherë u propozua mandatar për kryeministër – dëshmi se nuk synohet bllokimi i institucioneve, ndonëse kishte hapësirë për vonesa ligjore.

3. Zgjedhja e Nenad Rashiq – jo Lista Serbe:
Ky veprim dërgon mesazhin se përfaqësimi i komuniteteve nuk duhet të jetë monopol i Listës Serbe, duke tentuar të zbehë ndikimin e Beogradit.

4. Pushteti sipas votës:
Fuqia politike në Qeveri duhet të reflektojë rezultatin elektoral, jo marrëveshje jashtëinstitucionale apo pazare të fshehta.

5. Fund i ‘sekserëve’ të pushtetit:
Për herë të parë po ndalohet emërimi i zyrtarëve të lartë pa legjitimitet elektoral – një praktikë e zakonshme në qeveritë e kaluara.

6. Përjashtimi i Listës Serbe si faktor:
Qeveria nuk do të varet nga vullneti apo votat e Listës Serbe – ata janë konsideruar “zero faktor”.

7. Jo më pritje për Listën Serbe:
Për dallim nga e kaluara, nuk do të ketë më skenarë ku koalicioni pret orë të tëra për votat e saj, si në rastin e Qeverisë Haradinaj në 2017.

8. Asociacioni jo si kusht qeverisës:
Për dallim nga marrëveshjet e së kaluarës, Asociacioni nuk është më pikënisje e marrëveshjeve për bashkëqeverisje.

9. Interesi shtetëror mbi numrat:
Qeveria nuk do të formohet me çdo kusht – ruajtja e interesit shtetëror vendoset mbi kompromiset për pushtet.

10. Fituesi nuk shantazhohet – nëse po, shkohet në zgjedhje:
Pozhari thekson se kushdo që përpiqet të kushtëzojë fituesin zgjedhor për favore të pamerituara, rrezikon të çojë vendin në zgjedhje të reja.

Në përmbyllje, Pozhari vlerëson se me këtë qasje po bëhet përpjekje për të ndërtuar një kulturë të re politike, të bazuar në legjitimitet elektoral, refuzim të pazareve, pavarësi institucionale dhe shkëputje nga ndikimi i jashtëm, sidomos nga Beogradi nëpërmjet Listës Serbe.