“Kontrastet e PDK-së”/ Ironizon opinionisti: PDK e hapur për dialog, Qeveria e re duhet të vijë nga opozita e djeshme!

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të qartë synimin e saj për të marrë pjesë në ndërtimin e ekzekutivit të ri përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë, e ky ishte një sinjal i qartë për afrimin e mundshëm me LDK-në dhe parti të tjera jashtë pushtetit aktual.

“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik”.

Opinionisti Gani Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka reaguar ndaj qëndrimeve të PDK-së duke i quajtur të kundërta dhe jo konstruktive.

Sipas tij, nuk mund të thuhet “jemi për dialog”, ndërsa njëkohësisht të imponohet se si duhet të përfundojë ai. Ai krahasoi këtë qasje me stilin e Vuçiqit në dialogun me Kosovën – i deklaruar për bisedime, por që gjithçka duhet të përfundojë sipas vullnetit të tij.

Sipas tij, kërkesa që qeveria të formohet nga partitë jofituese është e pakuptimtë dhe përbën vetëm një manovër për të mbetur në bllokadë dhe jo për ta zgjidhur krizën politike.

“Si tingëllon kjo: Edhe e hapur për dialog edhe si them unë? Këto janë dy fraza të kundërta njëra me tjetrën që nuk çojnë askund, që vetëm tregojnë ambiciet për ë qeverisur vetë, por jo për dialog. Dialogu bëhet për t’u marrë vesh bashkarisht, për të biseduar se si do ia bëjmë një çështjeje me interes të përbashkët, jo si them vetëm unë. Kjo të gjason në stilin e njëjtë të dialogut Kosovë – Serbi, ku Vuçiqi vazhdimisht është deklaruar për dialog, por fundi i dialogut të vijlë ashtu si e do ai.

Kur njerëzit duan të ulen për të biseduar , ata nuk ia vlen të tregojnë dhe dëshirën e tyre apo nguljen këmbë se si do të përfundojë, sepse të dy apo tri palët kanë kërkesat e tyre. Duhet të ulen të bisedojnë dhe të vijnë deri tek një përfundim i mirë, ku përafërsisht duhet të jenë të kënaqur palët në dialog.

Sipas PDK akuzohet partia e dale fituese në zgjedhje, LVV! Nuk analizon PDK-ja se edhe vet është në të njëjtën akuzë, nga që nuk pranon kandidaten e fitueses së shumicës. Dhe, mund të akuzohen të gjitha partitë parlamentare, por më shumë është akuzuese ajo partia jofituese e shumicës. Edhe jam për dialog, edhe nuk jam parti fituese e shumicës, edhe jam për debllokim të ngërçit politik, edhe të mos lëshohet pe, edhe qeveria të krijhet nga partitë jofituese të zgjedhjeve – këto nuk shjkojnë të gjitha bashkë. Kjo vetëm është një kamuflim për të mos u marrë vesh e për të mos debllokuar ngërçin politik”, shpjegon ai.

Ai fajëson të gjitha partitë politike për një fushatë jo korrekte, të mbushur me akuza të ndërsjella në vend të ofertave konkrete.

“Më në fund, roli i Kryetarit të Kuvendit, nuk është aq me peshë të madhe, cili do që të vijë. Prndaj nuk do duhej të bëhej gjithë ky bllokim. Ai është vetëm sa për të udhëhequr kuvendin e asgjë më shumë, përse të mos pranohet kandidatura e propozuar, cila do që të jetë ajo kanditurë?

E unë vetë, i fajësoj të gjitha partitë sepse nuk kanë bërë fushatë korrekte e dinjitoze, por më shumë kanë akuzuar njëra parti tjetrën.

Kur je për dialog, nuk përcaktohet fundi i saj para se të fillosh dialogun. Ai vjen bashkë me dialogun.

Nëse Partia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar bisedime me të gjitha partitë parlamentare në Kosovë, cili është rezultati, ku është ai, çka u morët vesh, apo vetëm treguat dëshirat e juaja të gjithë për të qenë në qeveri?”, përmbyll ai.