ndërsa pronar dhe drejtor i saj është Nemanja Vujadinoviq nga Mitrovica e Veriut, tregojnë të dhënat e Agjencisë serbe të Regjistrave të Biznesit, të cilat janë të disponueshme publikisht.
Një muaj pas themelimit të saj, kompania fitoi tenderin e parë me vlerë më shumë se 1.7 milion euro, së bashku me kompaninë “Rad 028”.
Sipas të dhënave nga portali i prokurimit publik, tenderi përfshinte prokurimin e mallrave në kuadër të një programi të stimulimit ekonomik.
Kështu, përmes programeve të ndryshme nxitëse në tre vjetët e fundit, prokurimi i mallrave me vlerë më shumë se 8.5 milionë euro iu besua kompanisë “Rad 028” nga Zveçani dhe më vonë asaj “NV 028” nga Mitrovica e Veriut.
Në një tender të dhënë në tetor të vitit të kaluar, kompania “NV 028”, së bashku me “Rad 028” fituan kontratën për një program mbështetjeje për ekonominë dhe zhvillimin në zonat me shumicë serbe në Kosovë. E, në dokumentacionin e prokurimit, “NV 028” figuron si përfituese e një eskavatori.
Kontrata për furnizim në kuadër të mbështetjes për ekonominë dhe zhvillimin ekonomik në mjediset serbe në Kosovë, u është dhënë kompanive që lidhen me sulmin në Banjskë.
Në dokumentacionin e prokurimit për stimulimin ekonomik në vitin 2024 vihet re se një makineri ndërtimore iu dha edhe kompanisë “TIME GR 028” – një tjetër subjekt që përmendet në aktakuzën në rastin Banjska.
Disa kompani që përmenden në këtë aktakuzë, kanë fituar edhe kontrata individuale, të financuara nga buxheti i Republikës së Serbisë, tregojnë të dhënat e publikuara në portalin e prokurimeve publike në Serbi.
Për shembull, “I&M STILL D.O.O.”, në pronësi të Irena Steviqit, e cila në aktakuzë thuhet se është vajza e Radulle Steviqit – pronarit të kompanisë “Rad 028” – është e angazhuar në disa punë fitimprurëse.
Pjesëmarrjen në tenderë e nisi që nga tetori i vitit 2020 dhe deri më 15 janar, 2025, bëri disa kontrata me organet komunale të përkohshme në Kosovë, me një vlerë të përgjithshme mbi 807 milionë dinarë, ose rreth 6.8 milionë euro.
Kompania “TIME GR 028”, e cila përmendet në aktakuzën për Banjskën, bëri blerje me vlerë prej më shumë se 598 milionë dinarësh, ose 5.1 milionë euro, midis 21 majit 2021 dhe 5 majit 2025.
Në anën tjetër, kompania “Santos” furnizoi Institucionin Parashkollor “Lane” me ushqim dhe pije, në vlerë prej rreth 90 mijë eurosh, gjatë periudhës tetor 2021 – shkurt 2025.
Punët e tjera të kompanisë “Rad 028” nga Zveçani
Përveç furnizimeve me makineri dhe pajisje për komunitetin serb në Kosovë, kompania “Rad 028” merret edhe me projekte ndërtimore.
Ndër projektet më të rëndësishme të saj është zgjerimi dhe ndërtimi i objekteve të reja të Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksionon brenda sistemit shëndetësor të Serbisë.
Sipas të dhënave nga portali i prokurimeve publike, vlera e kontratës kalon 3.9 milionë euro dhe është nënshkruar në fillim të vitit 2024.
Gjatë shtatorit 2024, kompania “Rad 028” nga Zveçani së bashku me atë “Beta Gradnja” nga Mitrovica e Veriut – që po ashtu përmendet në aktakuzën për rastin Banjska – u angazhuan në blerjen e materialeve për ndërtimin, rikonstruktimin, sanimin dhe adaptimin e banesave familjare në njëzet komuna të Kosovës. Ky projekt ka një vlerë mbi 3.4 milionë euro.
Në listën e blerjeve më të fundit, më 30 qershor 2025, duket se organi i përkohshëm komunal në Zveçan i dha kontratë firmës “Rad 028” edhe për ndërtimin e një etno-fshati pranë manastirit Draganac, që gjendet afër Novobërdës, në jug të Ibrit. Vlera e këtij projekti është mbi 1.2 milion euro.
A mund të ndërtojë kompania “Rad 028” në Kosovë?
Në tre vjetët e fundit, autoritetet e Kosovës i kanë ndaluar ndërtimet në zonat me shumicë serbe, të financuara nga Serbia, duke argumentuar se ato nuk kanë leje nga institucionet e Kosovës, por vetëm leje të lëshuara nga organet serbe, të cilat Prishtina zyrtare nuk i njeh.
Në mesin e të tjerave është bllokuar ndërtimi i ndërtesave të universitetit paralel, punimet e të cilave po i kryente firma “Rad 028” e Steviqit.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Qeverinë e Kosovës, Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve dhe autoritetin e tenderëve për t’i pyetur nëse kanë informacione se Radulle Steviq, me kompaninë e tij nga Serbia ose me ato të regjistruara në Kosovë, po realizon projekte të financuara nga buxheti i Serbisë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje prej asnjërit institucion.
Më herët, nga Organi Shqyrtues i Prokuromit i thanë Radios Evropa e Lirë se kompanitë e Steviqit në Kosovë nuk janë në listën e zezë, sepse nuk ka pasur ankesa nga klientët, e as nuk është vërtetuar se ai ka dorëzuar të dhëna të rreme ose dokumente të falsifikuara.
Ligji për prokurimet publike në Kosovë parashikon masa për vendosjen në listë të zezë vetëm kur porositësi i punës thotë se janë paraqitur të dhëna të rreme ose dokumente të falsifikuara.
Bazuar në të dhënat e publikuara në portalin e Kosovës “Prokurimi i Hapur”, ku mund të gjenden informacione për kontratat publike në Kosovë që nga viti 2018, kompanitë e Steviqit kanë marrë rreth 5 milionë euro nga buxheti i Kosovës deri në vitin 2021.
Shërbimet e kompanisë së tij u përdorën kryesisht nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, që veprojnë sipas sistemit të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok./rel
Të tjera
Prania e NjSO-së në punimet e urës së re mbi lumin Ibër, deklarohen nga Policia
Ata kanë një të përbashkët, dashurinë për Kosovën
Kryediplomati belg paralajmëron “krizë të madhe” nëse qeveria nuk ashpërson qëndrimin ndaj Izraelit