Në seancën e sotme gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt, është prezantuar një kontratë që dëshmon për një shumë prej 100 mijë eurosh të marrë në formë huazimi nga biznesmeni Behgjet Pacolli.
Dokumenti është paraqitur nga prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, ndërsa sipas kontratës, Murseli kishte marrë obligim financiar ndaj Pacollit, për të cilin kishte punuar për një periudhë të gjatë si këshilltar dhe bashkëpunëtor i afërt.
Para trupit gjykues, Murseli ka deklaruar se borxhi është shlyer, por jo përmes një pagese të drejtpërdrejtë në para. Ai ka theksuar se bëhej fjalë për një marrëveshje private mes tij dhe Pacollit dhe se obligimi është përmbushur “në forma të tjera”, sipas dakordimit mes palëve.
Pas raportimeve në media, ka reaguar edhe vetë Behgjet Pacolli, duke sqaruar natyrën e marrëveshjes financiare.
Sipas Pacollit, nga kjo shumë janë kthyer në para të gatshme më pak se 12 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër është kompensuar përmes punës së kryer nga Naim Murseli.
“Naimi, në atë kohë, ka kryer punë në kompensim, kryesisht në mirëmbajtjen e faqeve të internetit të kompanive të grupit Mabetex, të Fondacionit BP dhe të disa platformave në rrjetet sociale”, ka theksuar ai.
Megjithatë, Pacolli është shprehur se nuk beson që shuma është kthyer në tërësi, por ka nënvizuar se nga ana e tij nuk ka pasur asnjë trysni për kthim urgjent të mjeteve.



Të tjera
PDK do të jetë gardiane e Kushtetutës, drejtësisë në Hagë dhe e interesit shtetëror
Kuvendi i Kosovës zgjodhi Qeverinë Kurti 3
Tahiri kritikon prezantimin e kabinetit të ri nga Kurti: Qeveri me përmasa të Kinës